Sulmi kibernetik në KSHZ, Prokuroria merr në pyetje dëshmitarët
Prokuroria ende po punon në hetimin për sulmin kibernetik ndaj faqes së internetit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Konkretisht, Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit është e interesuar për marrëveshjen e lidhur në katër sy mes Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe DUNA Computers. Ata provat i kanë dërguar për ekspertizë ekonomike për t’u përcaktuar dëmi i shkaktuar. Në ndërkohë, tashmë ka filluar edhe dëgjimi i dëshmitarëve. Por, personat e dyshuar si ish kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski dhe pronari i DUNA, të cilët dyshohen se blerjen e softuerit e kanë bërë jashtë procedurave ligjore, ende nuk kanë ardhur në rendin e ditës për të dëshmuar para prokurorit.
“Pas marrjes së raportit nga ekspertiza dhe shqyrtimit të provave të mbledhura, do të merret vendim nga prokurori publik për çka opinioni do të informohet në kohën”, njoftojnë nga Prokuroria Publike.
Me marrëveshjen e lidhur mes Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe DUNA, kompania që bëri softuerin për rezultatet e zgjedhjeve nuk ka bërë vlerësimin e ofertave të tjera. Softueri nuk është testuar para se të përmblidheshin rezultatet e zgjedhjeve ndërsa për specifikat teknike për procedurën publike është konsultuar një pjesëmarrës në procedurë. Kjo është jashtë procedurave të prokurimit publik. Mënyra e marrëveshjes së lidhur u zbulua pasi në ditën e zgjedhjeve faqja e internetit të KSHZ-së nuk i publikoi rezultatet e zgjedhjeve, për shkak të sulmit të hakerëve ndaj faqes së KSHZ-së. Ende hetohet se kush qëndron pas sulmit. DUNA pohonte se softueri ishte i sigurt, por jo edhe faqja e KSHZ-së