Jeton Shaqiri i reagon Bilall Kasamit: Në arsim nuk ka vend për lojëra politike, angazhohu më shumë

Shpërndaje

Nëpërmjet një kumtese për media, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri ka reaguar ndaj situatës së krijuar sot mes tij dhe kreut të Tetovës, Bilall Kasami.

Si rezultat i moskuptimit ndërmjet vete, është anuluar edhe ngjarja e caktuar për sot.

Më poshtë reagimi i plotë i Shaqirit ndaj Kasamit:

MASH: Në arsim nuk ka vend për lojëra politike, komuna e Tetovës të anhazhohen më shumë për mundësi më të mira për arsimin e gjeneratave të ardhshme të nxënësve të shkollave të mesme

Përpjekjet e Ministrisë së arsimit dhe shkencës për modernizimin e arsimit të mesëm profesional dhe përshtatjen e tij me nevojën për kuadër profesional në nivel lokal, jo gjithandej pranohen si qëllimmira. Shembull klasik për këtë është vendimi i komunës së Tetovës ta anulojë eventin e organizuar me këtë rast për të cilin ishim marrë vesh paraprakisht si pjesë e agjendës më të gjërë për dialog me komunitetin e biznesit dhe të gjitha njësitë e vetëqeverisjes lokale në vend, që mbështetet nga projekti “Arsim për punësim” dhe nga Ambasada e Zvicrës.

Vendimi i komunës së Tetovës nuk është në interes as të gjeneratës së ardhsme të nxënësve të shkollave të mesme, as të komunitetit të biznesit i cili shprehu gadishmëri të përfshihet në zgjerimin e konceptit të arsimit dual dhe sigurimit të kushteve të mira për trajnim praktik, kualifikim profesional dhe cilësor dhe përgatitjen e të rinjve tetovar për kyçje të shpejtë dhe të suksesshme në tregun e punës. Në të ardhmen, arsyeja duhet të fitojë, sepse bartësit e funskioneve politike kanë për detyrë të punojnë dhe t’i shërbejnë interesave të qytetarëve.

Nuk ka as edhe një arsye e cila mund ta fsheh ose arsyetojë prapavinë politike të këtij veprimi të kryetarit të komunës së Tetovës. Ky është një hap i gabuar, sepse në arsim nuk ka vend për politikë dhe tentative për të fituar poena politike. Në arsim, fokusi janë dhe duhet të mbeten nxënësit, arsimtarët, studentët, profesorët dhe interesat e tyre.

Eventi i anuluar nga ana e komunës së Tetovës do të realizohet në një nga ditët në vijim dhe besojmë se kryetari i komunës do të jetë nikoqir i denjë i këtij takimi me përfaqësuesit e MASH, Ambasadës së Zvicrës dhe komunitetit lokal të biznesit.