RajoniTop Lajme

Supremja pranon pesë ankesa për moscertifikimin e kandidatëve për deputetë, ende s’ka vendim

Shpërndaje

Gjykata Supreme ende nuk ka vendosur për ankesat e subjekteve politike, pas moscertifikimit të disa kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt.

Gjykata Supreme në Prishtinë, në një përgjigje për Telegrafin ka bërë të ditur se kanë pranuar pesë ankesa nga subjektet që nuk janë certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Në Gjykatën Supreme janë pranuar pesë ankesa, të cilat janë ndarë në punë tek kolegët gjyqësor dhe për to do të vendoset brenda afateve të përcaktuara ligjore”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Supreme dhënë Telegrafit.

Ankesë në Supreme ka dorëzuar Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe Partia e Ashkalinjëve të Kosovës.

Theksojmë se javë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka certifikuar listat e gjashtë subjekteve politike, për shkak që sipas listave të Këshillit Gjyqësor të Kosovë, në listat për kandidat për deputetë, janë disa që kanë probleme me ligjin.

Pas kësaj, subjektet politike, përfshire Lëvizjen Vetëvendosje, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, kanë dorëzuar ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ku më pas këta të fundit pranuan pjesërisht ankesat e tyre, duke ia mohuar kandidimin deputetëve që kanë dënime në tri vitet e fundit.

Supremja ka kohë tri ditë për vendosur lidhur me ankesat e subjekteve politike.

Sipas vendimit të publikuar nga PZAP, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi-Murtezi, nuk mund të certifikohen për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt.

Kurse, nga AAK jashtë garës për deputetë kanë mbetur Shemsedin Dreshaj, Gani Dreshaj, Rrahim Ajeti dhe Shqipe Kastrati.

Ndërkaq, nga Nisma Socialdemokrate garës për deputetë sipas PZAP-it, nuk mund t’i hyjnë: Vesel Krasniqi, Besnik Berisha, Filloreta Bytyçi, Valentina Alijaj, Xhafer Berisha, Aziz Thaçi, Musa Fetahaj, Hasime Daka, Fatmir Gërdellaj, Vehbi Avdullahaj, Endrit Shala dhe Ardian Nokaj.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt, kurse në garë për kryeministër janë tre kandidatë, Albin Kurti (LVV), Avdullah Hoti (LDK) dhe Enver Hoxhaj (PDK).