UEFA lavdëron punën e Xhakës dhe Shaqirit në ekipin e Zvicrës
Sajti zyrtar i Konfederatës Evropiane të Futbollit (UEFA) ka prezantuar të hënën Përfaqësuesen e Zvicrës si një prej pjesëmarrëseve në “Euro 2020” që mbahet këtë verë.
Zvicra është në grupin A së bashku me Turqinë, Italinë e Uellsin në Kampionatin Evropian që do të mbahet këtë vit.
Kjo do të jetë pjesëmarrja e pestë e ekipit kombëtar zviceran në EURO, ndërsa mbetet qëllimi për të arritur në çerekfinale. Ata shkuan më së largu në vitin 2016, kur humbën ndaj Polonisë në penallti në raundin e 1/16 së finales.
UEFA në tekstin për Zvicrën ka përmendur futbollistët shqiptarë të saj, Granit Xhakën, Xherdan Shaqirin e Valon Behramin.
Si lojtarë kyç, UEFA ka zgjedhur portierin Yann Sommer dhe Granit Xhakën.
“Kapiteni i Zvicrës është truri dhe motori i mesfushës. 28-vjeçari, që është zhvilluar te të rinjtë e Baselit, është në Arsenal që nga vitit 2016. Xhaka ishte pjesë e ekipit të Zvicrës që fitoi Botërorin U-17 në vitin 2009 dhe pjesë e ekipit që përfundoi nënkampion në Evropianin U-21 dy vjet më vonë. Ai tashmë ka përvojën nga tri ngjarje të mëdha si senior”, ka shkruar UEFA për Granit Xhakën.
Shaqirin, UEFA e ka përfshirë te golat më të veçantë të Zvicrës në kampionate evropiane.
“Goli i Shaqirit me goditje ‘gërshërë’ ndaj Polonisë në UEFA Euro 2016, do të jetë gjatë në kujtesën e gjithë atyre që ishin dëshmitarë të atij momenti”, ka komentuar UEFA.
Zvicra ndeshjen e parë të Evropianit e luan më 12 qershor ndaj Uellsit, në Baku. Më 16 qershor luan ndaj Italisë në Romë, ndërsa më 20 qershor ndaj Turqisë në Baku.