Bujamini 15-vjeçar kërkon karrocë elektrike, është i paralizuar, i vjen turp të shkojë në shkollë
Bujamin Usinovski tani sa ka mbushur 15 vjet. Është i paralizuar në masë të madhe, por kjo nuk e ndal atë. Ai mundohet me aq sa mundet të lëvizë. Në shkollë nuk shkon dhe thotë se i vjen turp nga gjendja e tij.
Babai i Bujaminit thotë se nuk kanë as makinë për ta dërguar në shkollë, ndërsa shton se Bujamini kërkon një karrocë elektrike që të mund të lëvizë.
Për shkak të situatës me pandeminë, me familjen kontaktuam përmes Viberit.
“Kërkon gjithçka por nuk kemi kushte për të gjitha dëshirat t’ia plotësojmë. Ka vullnet për të gjitha gjërat por ne nuk i kemi. Edhe rrymën ma kanë ndal prej 7 muajsh. E kanë ndal për shkak se nuk kemi me çka ta paguajmë”, deklaroi Bekim Usinovski, baba i Bujaminit.
Babi i Bujaminit thotë se djali i tij nuk merr asnjë terapi, mjekët i kanë thënë se ashtu ka lindur. Ndërsa thotë se ndoshta me karrocë elektrike do të mund të lëvizë më mirë.
“Mjekët na kanë thënë që nuk ka pasur ndonjë sukses, dhe tani nuk mund të shërohet ashtu është lindur, me karrocë ka pak do të mund të lëvizë, po mundohet”, tregon më tej babai i Bujaminit.
Kjo familje është nga fshati Desovë i Prilepit. Ndihmë sociale marrin vetëm 5 mijë denarë. Ndërsa thotë se me ato mjete nuk mund t’i mbulojë të gjitha kërkesat e djalit, dhe nuk mund ta paguaj as rrymën elektrike. Babai i Bujaminit thotë se i kanë premtuar një karrocë por ende pret që t’i vijë.
Familja Usinovski kërkon që sa më shumë t’ia lehtësojnë jetën Bujaminit, të ketë kushte për të lëvizur dhe të mund të shkojë në shkollë.
Adresat për të ndihmuar:
IBAN-IBAN Code MK07530280006086815
Xhiro llogaria: 530500020205057
Numri i Kontaktit: 076420151