Rama njofton ngritjen e një bordi për të kontrolluar çmimet e karburanteve

Shpërndaje

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama njoftoi ngritjen e një bordi të administrimit të çmimeve të karburanteve për të kontrolluar rritjen e lartë të çmimeve në periudhën e fundit.

Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, ndërkohë që një protestë kundër rritjes së çmimeve organizohej përpara zyrës së tij, Rama u shpreh se situata me rritjen e çmimeve të karburanteve, energjisë dhe produkteve ushqimore është ndikuar nga lufta në Ukrainë.

Ai shtoi se brenda 48 orësh do të shpaloset konkretisht plani i qeverisë për të ndaluar spekulimet me rritjen e çmimit të naftës.

Rama tha se me një akt normativ do të ngrihet një bord kombëtar për administrimin e çmimeve të karburanteve.

“Do përcaktojmë masa drastike për çdo furnizues që shkel vendimet e marra në një tryezë të përbashkët mes furnitorëve dhe qeverisë. Nuk do të lejojmë që në pikën e furnizimit të shfaqen çmime të pa miratuara më parë në bord dhe do të ketë masa ndëshkuese”, tha Rama.

Rama tha gjithashtu se marzhi i fitimit të kompanive të karburanteve do të përcaktohet në konsultim me bordin.

“Nuk është dita për të fituar, por për të rezistuar. Nuk do të lejohen kompanitë të fitojnë më shumë se marzhi minimal”, ka theksuar Rama.