Bullgaria nuk ndryshon qëndrim: S’ka kompromis me interesat kombëtare
Bullgaria si anëtare e BE-së vazhdon ta mbështesë perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe janë të pasakta pretendimet dhe plotësisht të pabazuara se Bullgaria hyn në “skenarë të huaj” dhe të “Beogradit”, duke e ndaluar hyrjen e Maqedonisë së Veriut në rrugën për anëtarësim në BE. Këtë e deklaroi ministrja bullgare e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva në emisionin “Kontrakomentar” të blogerit, Asen Genov.
Siç njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Sofja, ajo tha se para tre viteve pas përfundimit të presidencës bullgare me BE-në, presidencat pas tyre ndiheshin të detyruara ta vazhdonin atë përparësi dhe kjo shndërrohet edhe në përparësi të tyre.
“Kolegët nga Austria, Kroacia, Rumania, Portugalia dhe Gjermania, ndërsa tani edhe Sllovenia, publikuan se do të merren me temën, përfshirë edhe Republikën Çeke e cila është pas 18 muajsh kryesuesi i radhës. Ne nuk jemi të lumtur që duhej të thonim ‘jo’, por ne nuk mund ta tolerojmë atë që po ndodh atje (Maqedoninë e Veriut)”, tha Zaharieva.
Lidhur me pozicionet e kancelarit austriak, Sebastian Kurc dhe ministrit gjerman për Çështje Evropiane, Mihael Rot, se zgjerimi i BE-së nuk duhet të jetë peng i mosmarrëveshjeve bilaterale dhe politikës bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, Zaharieva tha se çështjet e pazgjidhura duhet të zgjidhen paraprakisht dhe se Bullgaria nuk do të bëjë kompromis me interesat e saj kombëtarë.
Sipas Zaharievës, qeveria bullgare nuk reagoi zyrtarisht ndaj mësimit të gjuhës serbe në Maqedoninë e Veriut, sepse kjo është një çështje e brendshme. “Kjo është çështje e brendshme, nuk mund të ndërhyjmë në futjen e gjuhës serbe dhe hapjen e qendrës së tyre kulturore, është çështje e brendshme. Ne thjesht duam të ketë edhe qendër kulturore bullgare”, tha Zaharieva.
Vlerësoi se “nuk ka rrugë normale midis dy vendeve, nuk ka linjë hekurudhore dhe krijohen pengesa administrative përpara kompanive bullgare në Maqedoninë e Veriut, të cilat dëshirojnë të investojnë atje”.
Konfirmoi se Bullgaria ishte aleate e Gjermanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe se kishte Ligj për Mbrojtjen e Kombit, por populli bullgar, disa nga deputetët, Kisha bullgare dhe intelektualët, ishin arsyeja të shpëtohen hebrenjtë bullgarë nga deportimi.
Sipas saj, kombi i vetëm në librat shkollorë të historisë në Maqedoninë e Veriut që paraqitet si fashist është ai bullgar. “Unë nuk mendoj se populli bullgar është popull fashist. Atëherë edhe italianët edhe shqiptarët duhet të identifikohen gjithashtu si fashistë, sepse edhe ata ishin aleat në atë moment historik të Gjermanisë”, tha Zaharieva.
Iu falënderua autoriteteve në Shkup për mbylljen e grupeve në Fejsbuk në të cilat kishte gjuhë urrejtjeje kundër Bullgarisë, duke theksuar se gjëja më e rëndësishme është t’i zbusim emocionet dhe nëse nuk i zgjidhim problemet, të dy vendet do të humbin.