Lladrovci krah për krah Osmanit, Kurtit dhe Bekim Jasharit, bëjnë homazhe në Qirez dhe Likoshan
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci së bashku me presidentën në detyrë, Vjosa Osmani, liderin e LVV-së, Albin Kurti dhe kryetarin e Skenderajt, Bekim Jashari kanë bërë homazhe në Qirez dhe Likoshan.
Lladrovci në postimin e tij shkroi se Qirezi dhe Likoshani u bën vatrat e para ku u pa fytyra e vërtet e okupatorit.
Postimi i plotë:
Sot, me nderim e përkulje të thellë, së bashku me kryetarin e Skenderajt, Bekim Jasharin, presidenten në detyrë Vjosa Osmanin dhe ish kryeministrin Albin Kurtin, vendosëm lule pranë memorialit kushtuar dëshmorëve dhe martirëve të Qirezit dhe Likoshanit.
Humbja e forcave serbe te Lisi Gjashtnjak nga njësiti i armatosur i UÇK-së, ishte shkak që i tërboi okupatorët duke u hakmarrë kundër qytetarëve të pafajshëm e të paarmatosur.Rezistenca e popullit tonë, gjatë decenieve me demonstrata masive dhe grupet e organizuara, në fund të shekullit të shkuar ngritën nivelin e gatishmërisë së ballafaqimit me luftë të armatosur duke themeluar dhe organizuar radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Qirezi e Likoshani bëhen vatrat e para ku fytyra e vërtetë e okupatorit do të shfaqej me tërë barbarinë e vet. Këto masakra, bashkuan dhe ngritën bijtë e bijat më të mira të kombit, të përgatiteshin për luftën përfundimtare, deri në çlirimin e Kosovës.Rruga e lirisë, ishte rrugë e gjatë. Qirezi e Likoshani, me martirët e saj u bënë sinonim për fillimin e lirisë së pandalshme për Kosovën.Lavdi e përjetshme për dëshmorët dhe martirët e Qirezit dhe Likoshanit!