Merkel dhe Erdogan bisedojnë për krizën në Mesdhe
Të hënën, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan zhvilluan një bisedë për krizën në Mesdhe, përmes video-lidhjes.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, tha se Merkel ka kërkuar më shumë përparim në dialog por edhe ka mirëpritur zhvillimet e fundit pozitive.
Ajo ka ritheksuar rëndësinë e raporteve konstruktive dhe të qëndrueshme mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë, raporton DPA. Merkel dhe Erdogan kanë diskutuar edhe për pandeminë e koronavirusit dhe çështje tjera, tha Seibert pa zbuluar më shumë detaje.
Presidenca turke njoftoi se Erdogan ka thënë se ai shpreson për një samit me udhëheqësit e Bashkimit Evropian në gjysmën e parë të vitit 2021.
Kriza në Mesdheun lindor i ka rrënjët te mosmarrëveshjet mes Turqisë dhe Greqisë për të drejtat territoriale dhe qasjen në burimet natyrore. Ekziston gjithashtu edhe një mosmarrëveshje midis Turqisë dhe Qipros për këtë çështje.
Tensionet u përshkallëzuan vitin e kaluar pasi Ankaraja dërgoi një anije për të kërkuar naftë dhe gaz në Detin Mesdhe.
Greqia dhe Qiproja e kundërshtuar veprimin e Turqisë duke kërkuar edhe reagimin e Bashkimit Evropian. Situata mbërriu deri në atë pikë sa u dërguan edhe luftanijet në rajon.
Megjithatë delegacionet e Turqisë dhe Greqisë kanë rifilluar bisedimet pas shumë vitesh pezullimi.
Greqia dhe Turqia kanë pasur tradicionalisht marrëdhënie të tendosura dhe kanë qenë në mosmarrëveshje për dekada të tëra për një sërë çështjesh.
Të dyja vendet kanë qenë në prag të luftës tre herë, që nga mesi i viteve 1970, duke përfshirë edhe një herë mbi të drejtat e eksplorimit të pasurive nënujore./REL