Sot mbahet seanca ndaj Salih Mustafës në Gjykatën Speciale
Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa sot do të paraqitet sërish para gjyqtarit dhe prokurorit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Lajmi është bërë i ditur vetë nga Dhomat e Specializuara përmes një njoftimi të lëshuar në faqen e tyre zyrtare.
“Transmetimi i Konferencës për ecurinë e çështjes në çështjen kundër Salih Mustafës, e cila do të mbahet sot në orën 11:00, do të bëhet me një vonesë prej 45 minutash”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se gjatë javës së kaluar, gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Speciale, Nicolas Guillou, vendosi që t’ia vazhdojë paraburgimin ish-eprorit të UÇK-së Salih Mustafës, duke konsideruar se nëse ai lirohet ka rrezik të arratiset.
Më 24 shtator 2020, Salih Mustafa u arrestua me një urdhërarrest të lëshuar nga Guillou dhe po mbahet në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.