U nisën për punë, përfunduan në pranga: Krejt çka ndodhi në aksionin e arrestimeve të zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë
Policia e Kosovës sot në mëngjes ka ndërmarrë një aksion duke arrestuar disa zyrtarë në Agjencinë për Zhvillim të Bujqësisë. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani.
“Mund të konfirmojmë se, Policia e Kosovës është duke e realizuar një operacion policor në disa lokacione, në rajone të ndryshme. Informacione shtesë mund të jepen pas përfundimit të operacionit policor”, ka thënë ai.
Katër zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë janë arrestuar nga Policia e Kosovës, në mesin e të arrestuarve është edhe kreu i kësaj agjencie, Agim Nuha.
Të arrestuarit dyshohet se kanë marrë në vazhdimësi ryshfet për ndarjen e subvencioneve.
Operacioni i Njësisë Speciale është zhvilluar edhe në disa lokacione tjera të Kosovës.
Policia e Kosovës është parë në oborrin e Komunës së Istogut. Në këtë komunë janë marrë për intervistim nga policia edhe dy zyrtarë të kësaj komune.
Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Bujqësisë në këtë komunë Lulzim Shoshi.
Aksioni i zgjeruar i policisë së Kosovës është vazhduar më pastaj edhe në komunë të Gjilanit, Lipjanit dhe në fshatin Batllavë të Podujevës.
Burime të sigurta të kohës në Stacionin e Policisë në Lipjan kanë thënë se ka të arrestuar edhe në Lipjan por nuk dihet numri i tyre.
“Aksioni është zhvilluar edhe në Lipjan sikur në disa komuna të tjera ashtu edhe në nivelin qendror. Dyshohet se aksioni është zhvilluar për shkak të keqpërdorimeve me subvencione në sektorin e bujqësisë. Sipas informatave edhe në Lipjan ka të arrestuar por ende nuk dihet numri i tyre”, ka thënë ky burim.
Ndërsa në një fabrikë në Batllavë janë konfiskuar katër armë automatike.
Derisa në lokacionet tjera janë konfiskuar edhe disa makina zyrtare.