Grubi-Osmani: Bashkëpunimi institucional vazhdon menjëherë pas formimit të qeverisë së re
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi sot pasdite është pritur në takim në presidencën e Republikës së Kosovës nga u.d presidente, znj. Vjosa Osmani.
Me presidenten Osmani, Grubi ka diskutuar një sërë çështjes të cilat lidhen në interes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës përfshirë këtu marrëveshjet të cilat presin që të nënshkruhen menjëherë dhe pa humbur kohë pas formimit të institucioneve të reja në Prishtinë, por njëherësh kanë diskutuar edhe rreth procesit të Regjistrimit që tashmë është duke u zhvilluar në RMV.
Zëvendëskryeministri i parë Grubi me këtë rast i ka kërkuar znj. Osmani që këtë fitore të madhe ta kthejë edhe në një përkrahje bashkëpunimi për diasporën shqiptare të Republikës së Maqedonisë së Veriut që jeton në mërgim me qëllim sensibilizimin e tyre që t’i përgjigjen pozitivisht procesit të regjistrimit.
Grubi gjithashtu ka thënë se presidentja e Kosovës, znj. Osmani është zotuar se do të jep mbështetje maksimale në sa i takon procesit të regjistrimit, përkatësisht sensibilizimit të mërgatës shqiptare.
Zëvendëskryeministri i parë Grubi gjatë këtij takimi ka uruar znj. Osmani dhe i ka dëshiruar formim sa më të shpejtë të institucioneve shtetërore në mënyrë që pa asnjë vonesë të mbahet mbledhja e përbashkët midis dy qeverive pasi që është interes i dy vendeve tona që të realizojmë projektet që ua janë premtuar qytetarëve siç janë rruga Tetovë-Prizren, krijimi i sistemit One Stop Shop në vendkalimin kufitarë Bllacë, shtrirja e rrjetit të gazifikimit të Kosovës përmes Maqedonisë së veriut, krijimi i qendrës së përbashkët turistike në Tetovë dhe Brezovicë si dhe një sërë marrëveshje të tjera që janë në interes të qytetarëve tanë.