Kosova përkrah Maqedoninë e Veriut për regjistrim të popullatës
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, tha se Kosova e ka mbështetjen e tyre të plotë në çdo forum ndërkombëtar.
Grubi bëri të ditur se pikë e parë e diskutimeve të ministrit të jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani në Spanjë do të jetë çështja e njohjes së Kosovës nga Spanja.
Temë kryesore e takimeve gjithëditore të zëvendëkryeministrit të Maqedonisësë veriut ishte kërkesa për mbështetje dhe që t’i bëhet thirrje diasporës shqiptare të marrë pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë në Maqedoni të Veriut.
Takimin e parë Grubi e zhvilloi me kryetarin në detyrë të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhajn. Pas takimit Hoxhaj i dha mbështetje këtij procesi, duke e cilësuar si proces të rëndësishëm politik.
Më pas, Grubi u takua me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili kërkoi moblizim të të gjithëve për ta vetëdijësuar mërgatën për t’u regjistruar.
Ndërsa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, premtoi aktivizim të të gjitha degëve të LDK-së në mërgatë për ta ndihmuar Maqedoninë e Veriut në këtë proces.
Sipas zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së veriut , Artan Grubi, shoqata “Jetimat e Ballkanit” mund të luaj rol të rëndësishëm në procesin e regjistrimit të popullsisë, pasi sipas tij, ka shtrirje në të gjithë mërgatën.
Ciklin e takimeve zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, e përmbylli me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limajn. Pas miratimit të ligjit për Regjistrimin e Popullatës më 21 janar të këtij viti nga Parlamenti I Maqedonisë së Veriut, procesi I regjistrimit të popullatës ka filluar më 1 mars dhe do të përfundojë me 21 prill./21Media