Kryetari i ri i LDK-së, Abdixhiku: Duhet të nisim rikthimin e madh nga vetvetja
Lumir Abdixhiku ka mbajtur fjalimin e tij të parë para mediave si Kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Abdixhiku është shprehur se idetë e LDK-së i qëndrojnë kohës dhe se sot po hapet një faqe e re për të kthyer partinë, në vendin e saj origjinal.
“Sot po e hapim një faqe të re të rrugëtimit tonë politik për ta kthyer LDK-në në vendin e saj origjinal”.
Ai në fjalimin e tij ndër të tjera tha se rikthimi i madh duhet nisur nga vetvetja.
“Më lejoni t’i falënderoj dy kundër-kandidatët e mi Lutfi Hazirin dhe Besian Mustafën. Të dy me kulturën e tyre politike vendosën një standard të ri të garës – jo vetëm për LDK-në, por për të gjithë spektrin politik shqiptar dhe më gjerë”.
“Gjatë viteve të shkuara, LDK mbrojti vlerat e veta institucionale si në pozitë ashtu edhe në opozitë. U tregua kujdestare e vlerave demokratike dhe zë i qartë i orientimeve të qendrës së djathë”.
“Përgjatë kohës, LDK nuk arriti t’i mbajë mjaftueshëm votuesit e saj. Arsyen e vërtetë e gjejmë tek vetvetja – ne nga vetvetja duhet të nisim rikthimin tonë të madh”.
“Sot ne nderojmë votuesit tanë. Pavarësisht përpjekjeve, është bërë e qartë se sot ka pakënaqësi të shumta brenda dhe jashtë partisë”.
“Dua të jem i qartë, idetë e LDK-së i qëndrojnë kohës – ato janë shtylla themeltare e shtetit të Kosovës të nisura nga presidenti Ibrahim Rugova”.