Kurti ia bën të qartë Lajçakut: Dialogu vazhdon të jetë prioritet i katërt

Shpërndaje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shprehur serish qëndrimin e tij se procesi i dialogut me Serbinë do të mbetet prioritet i katërt gjatë qeverisjes së tij.

Ai komente i bëri pas takimit me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Më informoi me procesin e dialogut në përgjithësi. Unë shpjegova edhe një herë që ne i kemi fituar këto zgjedhje me programin tonë që përqendrohet te drejtësia dhe punësimi, se jemi në kushtet e pandemisë COVID-19, dhe se nuk jemi kundër dialogut, por e duam parimor dhe të përgatitur mirë”, tha Kurti.

Ai ka mohuar të ketë diskutuar për çështjen e hartës së BE-së, e cila e shfaq Kosovën si pjesë të Serbisë, teksa ka lënë të nënkuptohet se dialogu vazhdon të jetë prioritet i katërt i qeverisjes së tij.

“Nuk mund të jetë prioriteti i parë ose i dytë, sepse janë drejtësia dhe punësimi. Nuk e mohoj rëndësinë e dialogut – edhe për BE-në, Kosovën dhe Serbinë dhe rajonin, por më e rëndësishmja është që ky dialog të jetë i përgatitur mirë. Të jetë dialog i sinqertë në të cilin nuk jemi në presionin e kohës, por jemi me përkushtimin për substancë”, tha Kurti.

Ndryshe, Mirosllav Lajçak të martën në mëngjes do të takohet edhe me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmanin. Pas takimit, do të mbahet një konferencë për media në hollin e Kuvendit të Kosovës.