Maqedoni

Opozita shqiptare nuk lëshon pe! Zaev i gatshëm për takim liderësh që Kuvendi të zhbllokohet

Shpërndaje

Opozita shqiptare këmbëngulëse, Kuvendi nuk zhbllokohet deri sa nuk gjendet zgjidhje për propozim ligjin e tyre për shtetësinë. Shefi i grupit parlamentar i koalicionit Aleanca-Alternativa, Skender Rexhepi, shprehet i bindur se shumë shpejt kreu shtetëror do të obligohet të takojë partitë për të gjetur zgjidhje.

“Ne do të vazhdojmë bllokimin e Kuvendit dhe komisioneve me amendamente deri në kohën kur të vijmë të ulemi ta diskutojmë çështjen për shtetësinë. Nuk do të ndalemi fare. Ky reciprocitet nuk ndalet pavarësisht presioneve që mund të vijnë nga cilido qoftë kënd”, tha Skender Rexhepi – koordinator i Grupit Parlamentar ASH-AAA.

Projektligji jo domosdoshmërish duhet të kalojë ashtu siç është propozuar, andaj Rexhepi thotë se si koalicion janë të gatshëm të ulen e të bisedojnë. Kryeministrit Zoran Zaev po ashtu është i gatshëm për tryezë bisedimesh, madje edhe takim liderësh.

“Nëse për këtë ka nevojë për takim liderësh, do të thërras edhe takim liderësh. Edhe me opozitën shqiptare edhe me atë maqedonase dhe me të gjitha partitë e tjera opozitare në Kuvend, por në të vërtetë dëm pësojnë vetëm qytetarët”, theksoi kryeministri Zaev.

Sa i përket ligjit për shtetësinë të propozuar nga opozita shqiptare, Zaev vazhdon të ripërsësrisë qëndrimin se duan zgjidhje për ata që janë pa shtetësi, por vetëm me dëshmi të dokumentuar, dhe jo me tre dëshmitarë.

“Nëse kemi një grua, nënë, fëmijët e së cilës kanë dëftesë, këtu në Maqedoninë e Veriut, ndërsa nëna nuk ka shtetësi, a nuk është e mjaftueshme kjo dëshmi që ka kryer shkollë fillore, të mesme, fakultet. U krye, puna është e qartë! Nuk na duket dëshmi më e madhe”, shtoi Zaev.

Zaev thotë se nuk e ka problem që koalicioni opozitar Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa të propozojnë ligjin, por paraprakisht shërbimet profesionale të kësaj fushe të tregojnë se cila është zgjidhja. Edhe opozita shqiptare po ashtu vazhdimisht është shprehur e hapur për kompromis, ndërsa shpjegojnë se çështja e 3 dëshmitarëve vlen vetëm për ata që nuk kanë asnjë dëshmi si dokument, ndërsa 3 persona të mund të dëshmojnë se ditën e pavarësisë personi në fjalë ka qenë banor i Maqedonisë.