ASH: Komuna e Tetovës rrezikon jetën e tetovarëve (Foto)

Shpërndaje

Aleanca për Shqiptarët dega Tetovë reagon ashpër ndaj pakujdesisë së autoriteteve komunale në Tetovë gjatë mirëmbajtjes së rrugës Tetovë – Banja e Tetovës.

Sot, në orët e pasdites rrëshqitja e dheut dhe e gurëve ka bllokuar tërësisht këtë rrugë duke rrezikuar edhe jetën e tetovarëve të cilët këtë rrugë e shfrytëzojnë për rekreacion sportiv.

Rrëshqitja e dheut, murri i shtrembëruar, punimet jo të sigurta si dhe pakujdesia janë dështimi edhe karakteristika e Komunës së Tetovës. Ne si degë kemi reaguar me anë të shkresave dhe konferencave për shtyp si dhe aksioneve simbolike për të kërkuar nga Komuna e Tetovës që të kishte kujdes, pikërisht për këtë rast që ndodhi sot e mund të ishte kthyer në tragjedi për tetovarët.

Rrëshqitja e dheut tregon mjerimin e Tetovës për tetë vite mandat të kryetares aktuale Teuta Arifi. Ky mjerim thellohet edhe më tepër kur bëhet qartazi keqpërdorimi i fondeve nga Bashkimi Evropian që u ndan për të mirëmbajtur rrugën Tetovë – Banja e Tetovës. Keqpërdorimet e tilla të Komunës së Tetovës sot sjellin rrezik për jetën e tetovarëve.

Aleanca për Shqiptarët – Dega Tetovë