Rajoni

LVV shpreson te Xhavit Haliti, e fton të votojë edhe njëherë “për pikë t’qefit”

Shpërndaje

“Për pikë t’qefit“, i tha Xhavit Haliti Gazetës Express para dy javësh, kur u pyet se pse qe i vetmi deputet opozitar që e votoi Glauk Konjufcën e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit. Në po të njëjtën mënyrë, LVV-ja dhe Lista Guxo shpresojnë që deputeti i PDK-së të vijë sot në orën 17:00 nga Shqipëria në Kuvendin e Kosovës për të votuar për Vjosa Osmanin presidente.

Dje, për një votë më pak në kuti, LVV-ja dhe Lista Guxo nuk arritën ta bëjnë presidente Vjosa Osmanin. Procesi për zgjedhjen e saj dështoi që në tentimin e parë, i cili u përsërit, por pa sukses. Në votim nuk morën pjesë tre deputetë të LDK-së, ish partisë së Vjosa Osmanit. Por problemi nuk qe te mosvotimi i Avdullah Hotit, Agim Veliut e Driton Selmanaj, pasi pozitës i munguan dy deputetë të komuniteteve jo-serbe që pritej të ishin aty. Adem Hoxha nga komuniteti goran dhe Fadil Gashi nga komuniteti rom nuk morën pjesë në seancë, ndonëse kishte marrëveshje për këtë.

Për t’i bërë 80 vota në kuti, ministrja e Drejtësisë nga LVV, Albulena Haxhiu, e ftoi deputetin e PDK-së, Xhavit Haliti, që të vinte dhe të votonte, ashtu siç ky i fundit paraprakisht tha se do ta bënte, por që s’ishte në Prishtinë.

“Meqë ai ka shprehur vullnetin e tij për të votuar atëherë shpresoj që të jetë nesër në sallë. Natyrisht se i bëjmë ftesë edhe Xhavit Halitit që të vie nesër dhe të votojë”, ka thënë Haxhiu mbrëmë.

Rreth një orë më herët, Xhavit Haliti ishte lajmëruar nga Pogradeci i Shqipërisë, duke u shprehur i painformuar se ka seancë për zgjedhjen e presidentit.

“Unë nuk e kam ditur, nuk më ka thënë askush. Unë jam në Pogradec, qysh kam me votu prej Pogradecit?”, tha Haliti. “Unë kam ardhur në Pogradec dhe nuk e kam ditur që ka seancë të Kuvendit. Unë nuk jam i punësuar që të punoj edhe të shtunën dhe të dielën dhe as nuk ka pasë paralajmërim që do të ketë seancë”.

Më herët, Haliti ishte shprehur se do ta votonte Vjosa Osmanin për presidente, pasi kjo ishte kërkesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Do ta votoj Vjosa Osmanin për presidente dhe do duhej ta votonin të gjithë deputetët sepse pos tjerash është kërkesë e SHBA-së”, ka thënë Haliti.

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish sot për të vijuar seancën e zgjedhjes së Presidentit të vendit. Sipas Kushtetutës së Kosovës, në dy raundet e para të votimit duhen 80 vota në kuti, ndërsa në raundin e tretë, presidenti mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë sërish të paktën 80 deputetë.