Rajoni

Vlora Çitaku flet për kalimin e Adelina Graincës në VV, ka këtë porosi për PDK-në

Shpërndaje

Ish-amabasadorja e Kosovës në SHBA Vlora Çitaku, ka folur për largimin e deputetes Adelina Grainca nga Partia Demokratike e Kosovës në Lëvizjen Vetëvendosje.

Çitaku ka thënë se Grainca nuk kaloi në VV, sepse donte që të shmangeshin zgjedhjet e reja, pasi sipas saj, vota e deputetes ishte e panevojshme, përcjell Bota sot.

Ajo e ka quajtur pazar kalimin e deputetes në partinë e Albin Kurtit.

Ish-ambasadorja ka thënë se PDK-ja duhet të marrë mësim dhe të nis procesin e reformave.

Reagimi i plotë i Çitakut në Facebook:

Me ndërru mendjen, qëndrimin dhe pozicionimin politik në demokraci është normale.

Herë ndryshojnë rrethanat, e herë ndryshojmë vet. Ama, me ndryshu tabore politike brenda orës, pa asnjë arsye të artikuluar, është as më shumë e as më pak se mungesë elementare e vetëdijes politike. Është reduktim i politikës në pazar.

Deputetja Grainca nuk kaloi në VV, sepse donte që Kosova me çdo kusht të shmangte zgjedhjet e parakohshme, sepse zonja Grainca hyri në sallë në raundin e dytë, dhe vota e saj ishte e panevojshme; as pse kishte shprehur ndonjë pakënaqësi në grupin e saj parlamentar lidhur me orientimet politike të PDK-së.

Motivin e din më së miri ajo vet, por aman mos na e veshni oportunizmin politik me interes për Kosovën e sakrificë.

Poashtu, shpresoj që Partia Demokratike e Kosovës të marrë mësim. Të nisë procesin e reformave. Opozita është gjithmonë e rëndësishme, e posaçërisht tani.