Presidentja thotë se është arritur pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për dinarin

Shpërndaje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se çështja e dinarit serb në Kosovë duhet të zgjidhet me urgjencë dhe se tashmë ekziston pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për këtë çështje.

Sipas saj, ideale do të ishte nëse do të arrihej një marrëveshje për të në Bruksel, më 19 mars, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

Ajo ka thënë se është shumë pozitive “që komuniteti ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara pajtohen që mos të ketë qarkullim të dinarit në Kosovë”.

“Me ndihmën e tyre kemi arritur që tash e tutje ato dërgesa, ajo ndihmë financiare që vjen nga Serbia, të arrijë në euro dhe jo në dinarë, dhe kjo besoj që e zgjidh një pjesë të madhe të problemit me të cilin jemi ballafaquar në të kaluarën”.

Sa i përket pjesës së dytë të propozimit, ajo ka thënë se janë duke shqyrtuar mënyra për të garantuar që ndihma që niset prej Serbisë për komunitetin serb në Kosovë të mos keqpërdoret.

Osmani ka thënë se ka shpresa që shumë shpejt do të arrihet pajtueshmëri edhe për pikën e dytë.

“Është urgjente që kjo çështje të zgjidhet, sepse jo vetëm që u ndihmon qytetarëve që t’i tejkalojnë disa prej sfidave me të cilat ballafaqohen, por në të njëjtën kohë, të jemi shumë të sinqertë, Kosova ka probleme më të mëdha, ndër të tjera probleme të sigurisë”, duke përmendur në veçanti nevojën e sigurimit të kufirit me Serbinë, e cila, sipas saj, analizon vazhdimisht mënyra për ta sulmuar Kosovën.

Osmani: S’ka zbatim paralel të Marrëveshjes së Brukselit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se nuk ka pasur zbatim paralel të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.

Osmani ka kërkuar trajtim të barabartë të palëve lidhur me këtë marrëveshje.

Ajo gjatë adresimit të saj për media nga Komuna e Lipjanit, të cilën e vizitoi të hënën, tha se Serbia po trajtohet në atë mënyrë që të gjitha përfitimet po tenton t’i marrë në fillim, ndërsa Kosovës po i kërkohet që japë më shumë.

“Është e qartë se cila është pala e cila po shkelë marrëveshjet e veta, ajo që do të duhej të ndodhte në këtë periudhë që do ta lehtësonte zbatimin e plotë të kësaj marrëveshje, është mungesa e një plani të zbatimit i cili ende është duke u hartuar në Bruksel sepse nuk ka pasur trajtim të plotë. Edhe unë si presidente kam qenë kundër një plani që më është propozuar nga ndërmjetësuesi sepse ka paraparë që shumica e përfitimeve që ka Serbia nga ky plan të jenë në fillim të zbatimit, kurse ato të Kosovës të jenë në fund. Nuk ka pasur balanc, as zbatim paralel të kësaj marrëveshje sipas atij plani sekuencues. Kërkoj që të ketë trajtim të barabartë të palëve. Si Kosova ashtu edhe Serbia të zbatojnë në mënyrë paralale obligimet e tyre”, tha Osmani.

Ajo ka shtuar se Serbia e ka shkelur me dhjetëra herë këtë marrëveshje, duke mos i respektuar nenet e saj.