Maqedoni

ASH: Tetova është katandisur në një vend të rrezikshëm për të jetuar

Shpërndaje

Partia opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët, sot në një konferencë për shtyp në Tetovë, theksoi se në këtë qytet sot nuk bisedohet për dështime të infrastrukturës, por bisedohet për mbijetesë.

Sipas tyre, Tetova me rrethinë, qytet me dy universitete, është katandisur në një vend të rrezikshëm për të jetuar.

“Sot në Tetovë nuk bisedohet më për dështimin për të ndërtuar teatrin apo bibliotekën, për të ndërtuar kinema apo çerdhe për fëmijë, nuk bisedohet për avancim dhe zhvillim. Sot në Tetovë bisedohet për mbijetesë, për ajër të pastër, për ujë të pijshëm, për higjienë publike. Tetova gjatë këtyre tetë viteve ka probleme mesjetare: me plot deponi të egra, me ajër të ndotur, me mungesë të infrastrukturës. Dhe më skandalozja, nuk ka ujë për pije, por ka vërshime që marrin jetë njerëzish, dhe shkatërrojnë shtëpitë e tyre”.

“Çfarëdo apeli që i është bërë deri tani Komunës apo Qeverisë për këto probleme, tashmë është i kotë. Mosinteresimi i Komunës dhe Qeverisë ndaj problemeve të qytetarëve ka tejkaluar çdo pikë durimi të tetovarëve. Sot e tutje ne do të kërkojmë nga qytetarët që ashtu si arritëm të realizojmë shumë kauza duke ngritur zërin me protesta dhe aktivizëm, të heqim qafe ata që na mohojnë edhe të drejtën për jetë. Tetovarët nuk e meritojnë këtë katandisje dhe shkatërrim! Tetova ju bëri ballë atyre që tentonin t’ua ndalin arsimin dhe ardhmërinë fëmijëve, ndërsa tani ka ardhur koha të çlirohemi edhe nga ata që kanë rritur numrin e fëmijëve dhe qytetarëve me kancer dhe sëmundje të tjera, shkaku i degradimit të kushteve elementare për jetë”, thanë nga ASH.