MaqedoniTop Lajme

Të dënuarit për tragjedinë e Llaskarcës dalin nga burgu pas vendimit të Gjykatës Supreme

Shpërndaje

Gjykata Supreme e shfuqizoi aktgjykimin për aksidentin tragjik të trafikut në Llaskarcë dhe e ktheu lëndën në rigjykim, me çka personat e dënuar dalin në liri. Vendimin e mori Këshilli për vepra penale, i kryesuar nga Afrim Fidani, duke vlerësuar se procedura e mëparshme gjyqësore kishte mangësi thelbësore. Me këtë vendim bien dënimet e plotfuqishme me burg për pronarin e kompanisë së transportit “Durmo Tours”, shoferin dhe punonjësit e stacionit për kontroll teknik, për tragjedinë e shkurtit të vitit 2019, ku humbën jetën 16 udhëtarë.

Këshilli pesëanëtarësh i Gjykatës Supreme, në përbërje të Afrim Fidanit, Xhemali Saitit, Safet Kadriut, Cvetanka Periqit dhe Mirjana Lazarova-Trajkovskës, i anuloi vendimet me të cilat gjashtë të akuzuarit tashmë ishin dërguar për vuajtjen e dënimeve me burg. Gjykata më e lartë vlerësoi se procesi gjyqësor në instancat më të ulëta kishte mangësi thelbësore.

I gjithë procesi gjyqësor tani duhet të nisë nga e para para Gjykatës Penale në Shkup. Ky vendim vjen më shumë se shtatë vjet pas aksidentit tragjik në autostradën Shkup–Tetovë.

Gjykata e Apelit në Shkup, më 8 maj 2025, i ndryshoi aktgjykimet e shkallës së parë dhe në mënyrë të konsiderueshme i rriti dënimet, duke pranuar ankesat e prokurorit publik Darko Jakimovski. Me atë vendim, pronari i kompanisë së transportit “Durmo Tours”, Durmish Belluli, dhe përgjegjësi për transport Remzi Miftari u dënuan me nga 10 vjet burg, pasi fillimisht ishin dënuar me nga gjashtë vjet.

Punonjësit e stacionit për kontroll teknik, Igor Gjorgjievski dhe Goran Dukovski, u dënuan me nga shtatë vjet burg, në vend të pesë viteve të përcaktuara fillimisht. Dënimi për Jane Bovarovskin mbeti pesë vjet, ndërsa shoferi Manoil Trifunovski ishte dënuar përfundimisht me 14 vjet burg.

Procesi gjyqësor në shkallën e parë zgjati me vite për shkak të ekspertizave të shumta plotësuese, të cilat duhej të përcaktonin arsyen pse autobusi me 55 udhëtarë doli nga rruga. Sipas pretendimeve të Prokurorisë, Belluli dhe Miftari me vetëdije kishin nxjerrë në qarkullim një autobus teknikisht të parregullt, ndërsa punonjësit e kontrollit teknik me vetëdije kishin konfirmuar se autobusi ishte në gjendje të rregullt.

Disa prej të dënuarve për muaj të tërë e shtynë fillimin e vuajtjes së dënimeve për shkak të ndërhyrjeve mjekësore. Ndërkohë, Miftari u arratis nga vendi, ndërsa Belluli filloi vuajtjen e dënimit në burgun “Idrizovë”. Tani, me vendimin e Gjykatës Supreme, të gjitha këto vendime janë shfuqizuar.