Osmani e Konjufca nderojnë viktimat e masakrës së Poklekut, ku forcat serbe vranë e dogjën 54 civilë

Shpërndaje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe në varrezat e Poklekut të Drenasit, ku 25 vjet më parë forcat serbe kishin vrarë 54 civilë, 25 prej të cilëve ishin fëmijë.

Postimi nga Osmani:

Presidentja bëri homazhe në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër: Në këtë përvjetor dhe në çdo përvjetor tjetër, thirrja jonë është për drejtësi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe me kryetarin e komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci kanë bërë homazhe sot në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër të Drenasit.

Presidentja Osmani ka thënë se prilli është muaj i përvjetorëve të rëndë për Republikën e Kosovës, për shkak se përkujtojmë shumë masakra të kryera ndaj civilëve.

“E këtu në Poklek është ndër masakrat më të tmerrshme, më mizore, një Holokaust për nga ngjashmëria dhe mizoria që është kryer ndaj fëmijëve, ndaj pleqve, ndaj grave, ndaj njerëzve të pambrojtur, ndaj foshnjave edhe gjashtë muajshe”, ka thënë Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani ka thënë se në Poklek, në shtëpinë të cilën e vizitoi pas homazheve, janë djegur disa herë radhazi civilë, të cilët nuk u kursyen pavarësisht moshës.

“Janë ekzekutuar foshnje siç e thashë dhe fëmijë, të cilët e tëra çfarë donin, e tëra çfarë prisnin, ishin të jetojnë të sigurt, të jetojnë me prindërit e tyre dhe të jetojnë të lirë. Viktima më e vogël e kësaj masakre kishte emrin Liri, gjashtë muajshe, si simbolikë për sakrificën që edhe Liria por edhe e gjithë familja e saj do ta bënin, në mënyrë që ne sot të jetojmë të lirë”, ka theksuar Presidentja.

Presidentja Osmani ka thënë se në këtë përvjetor dhe në çdo përvjetor tjetër, thirrja jonë është për drejtësi, duke shtuar se ata që kanë urdhëruar këtë Masakër dihen me emër dhe mbiemër.
“Qendra për të Drejtën Humanitare ka mbledhur provat për personin që atë ditë ishte në krye të forcave policore që kanë djegur këto familje, që kanë ekzekutuar këto familje, por për fat të keq ata që kanë urdhëruar lëre që nuk janë prapa grilave, por kanë marrë medalje dhe promovime nga Aleksandër Vuçiq, i cili sot është në krye të Serbisë”, ka thënë Presidentja.

Presidentja ka falënderuar zotin Muqolli dhe gjithë familjarët, si dhe Teuta Elshanin dhe të tjerët që kurrë nuk rreshtën së treguari të vërtetën për këtë masakër dhe kurrë nuk reshtën së kërkuari drejtësi.

“Së bashku me ta do të sigurohemi që storia e Masakrës së Poklekut dhe e vërteta mbi këtë masakër do të dëgjohet në çdo vend të botës”, ka thënë Presidentja.

Më pas, presidentja Osmani ka bërë homazhe edhe në Çikatovë të Vjetër, ku po ashtu ka ndodhur me 17 prill të ’99-ës një prej masakrave më të rënda gjatë luftës në Kosovë.

Presidentja Osmani ka thënë se edhe këtu Serbia gjenocidale e Millosheviqit ka vrarë fëmijë, gra e pleq, njerëz të pafajshëm, njerëz të cilët thjesht dëshironin të jetojnë në liri.

“Edhe këtu sikurse edhe në Masakrën e Poklekut ka të mbijetuar të kësaj masakre, ka dëshmitarë të kësaj masakre. Prandaj, i bëjmë thirrje sërish nga këtu, në 25 vjetorin e këtyre masakrave të tmerrshme, gjitha institucioneve të drejtësisë që t’i marrin në pyetje dëshmitarët, t’i marrin deklaratat e tyre, t’i mbledhin provat. Sepse, ka kaluar kohë shumë e gjatë dhe është e domosdoshme që të ketë drejtësi, dhe pas mbledhjes së provave të fillojnë të gjitha proceset gjyqësore për ata që kanë kryer këto krime të tmerrshme”, ka thënë Presidentja Osmani.

Postimi nga Konjufca:

Nderimet më të larta ndaj atyre që bënë sakrificën më të madhe, që dhanë jetën e tyre për lirinë tonë!

Atë ditë të 17 prillit të vitit 1999 në Poklek dhe Çikatovë të Drenasit forcat gjenocidale të Serbisë masakruan 77 civilë shqiptarë. Me mënyra çnjerëzore, bomba dhe plumba kallashnikovësh mbi njerëzit e pambrojtur, ekzekutime që nga foshnjat deri te pleqtë, djegie shtëpishë për të ridjegur trupat e viktimave, zhvarrosje të trupave për t’i zhdukur nëpër varreza masive në Serbi; ky është monstruoziteti i një shteti kriminal që vijonte drejt qëllimit për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë.

Kanë kaluar 25 vite, por dhimbja jonë nuk po kalon. Ajo do të lehtësohej vetëm përmes drejtësisë, e cila nuk po vjen, sepse edhe sot e kësaj dite kriminelët që urdhëruan dhe ekzekutuan këto masakra janë të lirë, të mbrojtur dhe strehuar nga Serbia, presioni ndaj së cilës është i pamjaftueshëm.

Nuk do t’i harrojmë kurrë këta martirë, ashtu siç nuk do të ndalojmë së kërkuari drejtësi për ta. Ata janë gjaku i lirisë, ku zuri fill shteti i Kosovës.

U lartësofshin në lavdi martirët e Poklekut dhe Çikatovës, e të gjithë ata që e dhanë jetën e tyre për liri!