Djali i Nait Hasanit, për mbrëmje të maturës foto me veturë zyrtare
Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, një ditë më parë ka festuar përfundimin e shkollës dhe mbrëmjen e maturës së djalit të tij.
Hasani ka shpërndarë disa foto në Facebook, me djalin e tij dhe familjen, por ajo që bie në sy është se djali i tij shihet duke hyrë në veturën zyrtare të ambasadës.
Por Hasani i kontaktuar nga KOHA ka mohuar se djali i tij ka shfrytëzuar veturën zyrtare për të shkuar në mbrëmje të maturës. Pamja ku shihet djali i tij duke hyrë në veturë, sipas Hasanit, është bërë vetëm sa për të realizuar një fotografi.
“Jo, normalisht që nuk ka shkuar në mbrëmje të maturës me veturë zyrtare. Ajo ka qenë vetëm sa për foto. Ai është fëmija im dhe ai ka pasaportë diplomatike, por që fëmijët nuk i çojmë me kerre zyrtare”, ka deklaruar Hasani.
Nait Hasani është në mesin e disa ambasadorëve të cilët në maj të këtij viti ishin liruar nga detyra nga presidentja Vjosa Osmani, e cila këtë e kishte bërë me kërkesë të MPJD-së. Ai ishte emëruar në këtë post në tetor të vitit 2019.