RajoniTop Lajme

Komandanti i KFOR-it: FSK-ja në veri vetëm pasi të marrin leje nga KFOR-i

Shpërndaje

Ushtarët e FSK-së mund të dalin në pjesë veriore të vendit pasi t’u jepet leja.

Këtë e ka thënë katërçipërisht, Komandanti i KFOR-it në Kosovë, Gjeneralmajor Franco Federici, i cili ka theksuar se kjo çështje është në dorën e tij.

Në një intervistë për Klankosova.tv ai ka pohuar se NATO pret vazhdimin e respektimit të marrëveshjes së nënshkruar nga institucionet e Kosovës me Aleancën Veri-atlantike për këtë çështje.

Federici ka deklaruar rreth kësaj pasi është pyetur për dërgimin në prokurori nga ana e Kryeministrit Albin Kurti të marrëveshjes së vitit 2013 të nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.

Lidhur me vendimin për ndërtimin e kazermës së FSK-së në veri, kreu i KFOR, vlerëson se është çështje e institucioneve të Kosovës.

Tutje Federici flet edhe për transformimin e FSK-së, ku potencon se është proces i gjatë që kërkon kohë.

“Ushtria s’bëhet brenda ditës”, ka deklaruar ai.

INTERVISTA E PLOTË:

Gjeneralmajor Federici, cila është situata e sigurisë aktualisht në Kosovë?

Franco Federici: Situata e sigurisë në Kosovë është stabile dhe ne jemi duke e monitoruar atë nga afër. Ne mbesim plotësisht të përqendruar në zbatimin e përditshëm të mandatit të misionit KFOR të udhëhequr nga NATO përmes Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Cili është bashkëpunimi me institucionet e sigurisë në Kosovë?

Franco Federici: KFOR ka bashkëpunim shumë të mirë me të gjitha institucionet lokale dhe ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë – jo vetëm me ato që janë të angazhuara në fushën e sigurisë. Si shembull, mund të them se KFOR dhe Organizatat e Sigurisë së Kosovës bashkëpunojnë për çdo vit në organizimin dhe mbajtjen e ushtrimit “Silver Sabre”.

Kjo ngjarje përcillet nga përfaqësuesit e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, Policia e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, Kryqi i Kuq i Kosovës dhe EULEX. Synimi është që të arrihet nivel i lartë i bashkëpunimit në mes të gjithë aktorëve në Kosovë të cilët janë në menaxhim të skenarëve emergjentë.

Prej kur e keni marrë mandatin në fund të vitit të kaluar, duke qenë në krye të KFOR-it, çfarë vlerësoni si kërcënimin më të madh për sigurinë në Kosovë?

Franco Federici: Nuk ka ndonjë indikator që tregon ndonjë shqetësim të mundshëm ose ndonjë çrregullim kërcënues. Mbi të gjitha, situata e sigurisë është rezultat i shumë faktorëve, si ekonomia, politika dhe mirëqenia. Ne rregullisht monitorojmë situatën në mënyrë që të zbulojmë ndonjë zhvillim të mundshëm që mund të ndikojë në situatën e sigurisë.

KFOR është i gatshëm që të ndërmarrë çdo masë të nevojshme për të zbatuar mandatin e Kombeve të Bashkuara. Në përgjithësi, Kosova ka arritur shumë në aspektin e sigurisë në vitet e fundit. Derisa e them këtë, ne nuk vetëkënaqemi. Disa sfida vazhdojnë, përfshirë ndikimin e krimit të organizuar, aktivitetet ekonomike të paligjshme dhe retorika të caktuara të dëmshme me bazë përkatësinë etnike; papunësia është po ashtu një shqetësim, veçanërisht pas shpërthimit të pandemisë së COVID-19.

Ballkani njihet si vatër luftërash dhe konfliktesh. A reflektohen në Kosovë ditëve të sotme lëvizjet në aspektin e sigurisë në këtë rajon.

Franco Federici: Siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor kanë rëndësi për NATO-n, duke pasë parasysh ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë në sigurinë në gjithë zonën euro-atlantike dhe përtej. Që nga fundi i 90-ave, forcat e NATO-s kanë ndihmuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Misioni i KFOR-it në Kosovë është demonstrimi më i prekshëm i këtij angazhimi: shumë rezultate janë arritur në aspektin e stabilitetit dhe sigurisë dhe ne do të vazhdojmë të sigurojmë mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, nën mandatin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.

Muaj më parë në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Jugut është miratuar një vendim për dhënien e një hapësire për ndërtimin e një kazerme ushtarake të FSK-së. A është kjo pjesë e duhura që të ngritet ajo godinë?

Franco Federici: Vendimi për krijimin e një baze të FSK-së është marrë nga institucionet e Kosovës. Kjo nuk është çështje e KFOR-it.

Është Kryeministri Albin Kurti ai i cili e ka dërguar në prokurori një marrëveshje të vitit 2013 në mes të ish-Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe NATO-s që ushtarët e FSK-së të mos mund të dalin në pjesën veriore të vendit pa lejen e KFOR-it. Sa besoni se ka të drejtë Kurti kur e quan këtë dakordim të dëmshëm për Kosovën?

Franco Federici: Pozicioni ynë lidhur me Forcën e Sigurisë së Kosovës është bërë i qartë dhe ka qenë konsistent. Ne mbështesim zhvillimin e FSK-së nën mandatin e saj origjinal, përkatësisht atë të një force të mbrojtjes civile. Diskutimet rreth kësaj çështjeje në mes të aleatëve janë duke vazhduar.

NATO dhe KFOR mbesin plotësisht të përkushtuar për sigurinë në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal. Ne si KFOR vazhdojmë aktivitetet tona të përditshme – nën mandatin e OKB-së, me synim sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. KFOR monitoron situatën, ndër vepron me të gjitha institucionet dhe komunitetet në Kosovë dhe ka kontakte të vazhdueshme me Shefin e Mbrojtjes së Serbisë, dhe gjithashtu edhe me organizatat ndërkombëtare në Kosovë, në veçanti me BE-në.

FSK duhet autorizuar nga unë para çdo vendosjeve në pjesën veriore të Kosovës, në përputhje me marrëveshjen e mëhershme me institucionet e Kosovës që NATO pret të vazhdojë të zbatohet.

Çështja e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i ka shoqëruar edhe komandantët tjerë të KFOR që kanë qenë para jush. Si e shihni ju dhe a vlerësoni se e cenon integritetin territorial të Kosovës?

Franco Federici: Të gjitha palët duhet të sigurohen që çdo vendim nuk do të rrisë tensione në rajon. Të gjithë aktorët politikë të përgjegjshëm duhet përqendruar në progresin e reformave dhe në dialog.

Forca e Sigurisë së Kosovës për herë të parë mori pjesë së fundmi në “Defender – Europe 21”, një stërvitje me ushtritë tjera të superfuqive ushtarake. Është ky është sinjal se procesi i transformimit të FSK-së është duke avancuar siç duhet?

Franco Federici: Duhet një proces i gjatë i ndryshimit të kapaciteteve aktuale të Forcës së Sigurisë së Kosovës që ajo të bëhet ushtri; është diçka që nuk arrihet brenda ditës, apo vetëm duke miratuar një ligj dhe në çdo rast tjetër do të duhen shumë vite për të formuar ushtri.

Ushtria nuk është vetëm një çështje e marrjes së vendimit për transformim, por nënkupton edhe përvetësimin e pajisjeve dhe aftësinë e mirëmbajtjes së tyre, rekrutimi i një numri më të madh të personelit, përmirësimi i sistemit edukativ dhe trajnimit, e kështu me radhë.

Deri më tani FSK ishte nën mandatin origjinal, ku kanë dëshmuar se janë në gjendje të ndërmarrin operacione gjatë krizave dhe në operacione të mbrojtjes civile dhe po ashtu për të asistuar autoritetet civile, si përgjigje ndaj katastrofave natyrore dhe emergjencave të tjera në favor të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. Siç e thashë më parë, pozicioni i NATO-s për FSK-në është i qartë dhe konsistent. Ne mbështesim zhvillimin e FSK-së nën mandatin e saj origjinal, përkatësisht atë të një force të mbrojtjes civile.