RajoniTop Lajme

Rama për Bild: Anëtarësimi në BE si “Në pritje të Godosë”

Shpërndaje

“BE nuk mbajti premtimin, por ne do të ecim përpara”

Në një intervistë për gazetën gjermane “Bild”, kryeministri Edi Rama kritikon qëndrimin e mbajtur nga disa vende të Bashkimit Evropian që për interesa të tyre të brendshme kanë penguar integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Rama thotë se BE nuk mbajti premtimin e bërë që në 2018-ën për çeljen e negociatave.

“Më lejoni të bëj të qartë diçka: si Kryeministër i Shqipërisë, unë e njoh plotësisht që ne nuk jemi gati të anëtarësohemi në BE sot, as Maqedonia e Veriut ose pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor. Ka shumë kërkesa që ne duhet të plotësojmë në mënyrë që të bëhemi anëtarë. Por dy kombet tona, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për të filluar me të vërtetë procesin e negociatave me Brukselin. Një fillim i tillë i negociatave u vendos gjithashtu nga vetë Këshilli i BE në 2018-ën”.

Rama thotë se përpjekjet e Tiranës dhe Shkupit nuk janë shpërblyer dhe se më e pakta duhet të ketë një shpjegim pasi vonesat e integrimit po shkaktojnë pakënaqësi në vendet aspirantë.

“Një përgjigje e vërtetë për këtë pyetje është jetike, pasi cinizmi politik përbën po aq kërcënim për rajonin tonë sa pandemia e COVID-19. Partia ime arriti të fitonte në zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri, me gjithë vonesat në procesin e integrimit. Ne jemi legjitimuar nga shumica e popullsisë sonë për të filluar negociatat. Vendi ynë mbetet i ndarë politikisht. Premtimet e pambajtura të Bashkimit Evropian vetëm sa e rritën këtë ndarje”.

Rama e konsideron absurde situatën ku ndodhet procesi i integrimit.

“Ndihem sikur po jetoj në dramën e Samuel Beckett, “Në pritje të Godosë”. Ka shumë fjalë, por asgjë nuk ndodh në fund të fundit. Dhe si personazhet kryesore të Beckett, duke pasur parasysh këtë absurd të vërtetë, ne nuk kemi zgjidhje tjetër përveç se të ecim përpara. Sepse Evropa është feja jonë dhe asgjë nuk do të ndryshojë në lidhje me këtë sepse kjo është rruga e fatit tonë”.

Rama thotë se është i vetëdijshëm për problemet që ka vendi, por nënvizon se procesi i integrimit do të ndihmonte në zgjedhjen e tyre.