Samit dyditor i BE-së në Buksel: Në rend dite Kovid-19, rimëkëmbja ekonomike, emigrimet dhe marrëdhëniet e jashtme
Shefat e shteteve ose qeverive të vendeve anëtare të BE-së sot në Bruksel do ta fillojnë Samitin dyditor, i fundit i presidencës së Portugalisë, në rend dite të të cilit janë çështje në lidhje me situatën me Kovid-19, rimëkëmbjen ekonomike në periudhën pas koronës, emigrimin dhe marrëdhëniet e jashtme, para së gjithash me Turqinë dhe Rusinë.
Samiti fillon pasdite dhe në fillim është paraparë që liderët e BE-së të kenë drekë pune me sekretarin e përgjithshëm të KB-së, Antonio Guteresh në të cilin do të shkëmbehen mendimet për sfidat globale dhe çështjet gjeopolitike.
“Rimëkëmbja nga pandemia me Kovid-19, si në BE, ashtu edhe në botë, do të jetë temë kyçe. Fushata e suksesshme për vaksinim që po vijon përgjatë gjithë BE-së, bashkë me lansimin e kovid-certifikatës digjitale, do ta lehtësojë lëvizjen e lirë gjatë muajve të verës dhe më gjerë. Megjithatë, duhet me kujdes t’i ndjekim variantet dhe ta parandalojmë përhapjen e tyre në mënyrë të koordinuar”, theksohet në ftesën për Samitin dërguar liderëve të BE-së.
Në pjesën e strategjisë pas koronës rimëkëmbja ekonomike, në takim do të flitet për zbatimin e planit “Gjenerata e ardhshme e BE-së”, si dhe për planet kombëtare për rimëkëmbje, tranzisionet e gjelbra dhe digjitale të Unionit, si dhe për planet për rritje të bllokut në dekadat e ardhshme.
Është paraparë që pjesëmarrësit në Samit të flasin për çështjet me emigrimin dhe situatën në rutat e ndryshme nëpër të cilat emigrantët nisen drejtë BE-së.
“Qëllimi ynë vazhdon të jetë të parandalojmë humbje të jetëve dhe ta ulim presionin ndaj kufijve të BE-së. Për këtë, do të përqendrohemi në dimensionin e jashtëm, me qëllim të përforcimit të bashkëpunimit tonë me vendet e origjinës dhe transitit. Duhet të zbatojmë aksion i cili shpejtë do të sjellë rezultate”, shtohet në ftesë.
Sa i përket çështjeve ndërkombëtare, liderët e BE-së do të bisedojnë për marrëdhëniet e bllokut me Turqinë dhe Rusinë, për situatën në Bjellorusi, si dhe për ngjarjet në Libi, rajonin e Sahellit dhe të Etiopisë.
Gjatë ditës së nesërme është paraparë që liderët e BE-së të takohen me njerëzit e parë të Bankës Qendrore Evropiane dhe Eurogrupit, me çka do të bisedojnë për nxitjen e rimëkëmbjes të fuqishme dhe të qëndrueshme ekonomike, për tregjet e kapitalit, si dhe për koordinim të politikave në Eurozonë.
Çështja për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është në rendin zyrtar të ditës në Samit, pasi të martën në takimin e Këshillit për Punë të Përgjithshme Bullgaria nuk hoqi dorë nga qëndrimi i saj rreth vetos për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut. Pas vendimit të tillë të Këshillit, sekretarja shtetërore portugeze Ana Paulla Zakariash, e cila kryesonte me mbledhjen, e inkurajoi Slloveninë që të fillojë të kërkojë zgjidhje për negociatat me Maqedoninë e Veriut në bazë të këtij propozimit të Portugalisë.
“Presidenca portugeze e dha maksimumin që të gjejë kompromis, zgjidhje, donim sot të kishim jo dy por katër konferenca ndërqeveritare”, tha Zakariash të martën duke aluduar në dy konferencat ndërqeveritare që u mbajtën të njëjtën ditë në Luksemburg me Serbinë dhe Malin e Zi.
Zakariash në konferencë për media pas mbledhjes nuk u përgjigj në pyetjen nëse liderët e BE-së në Samitin i cili fillon sot do të tentojnë ta bindin presidentin bullgar Rumen Radev që ta heqë veton, si dhe a do të bisedohet për zgjerimin dhe Maqedoninë e Veriut.
Megjithatë, siç informoi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli, edhe pse nuk është pike zyrtare në rend dite, pritet që në margjinat e Samitit, disa vende të tentojnë ta bindin presidentin bullgar Rumen Radev që ta ndryshojë qëndrimin e Bullgarisë.
Të martën edhe shefi i diplomacisë Bujar Osmani vlerësoi se mundësia që të kemi fillim të bisedimeve për anëtarësim në Samitin e BE-së është teorike, duke pasur parasysh se për momentin në Bullgari ka kushte komplekse politike dhe kontekst, por potencoi se presidenti Radev ka mandat të plotë politik dhe mundësi që ta tërheqë veton, gjegjësisht në takimin e liderëve të sillet vendim për fillimin e bisedimeve.
“Nuk është çështja nëse jam apo jo optimist, por është çështja e konstatimit të Komisionit Evropian të të gjitha 26 vendeve anëtare. Ja sot para jush edhe ministrja për Punë të Jashtme e Suedisë tha se Maqedonia e Veriut duhet të fillojë bisedimet. Nga këtu, kjo është çështje e BE-së çka me procesin më tej, por duke pasur parasysh se ai është interes strategjik edhe i Bullgarisë se do të reflektojë dhe do të japë dritë të gjelbër më 24 dhe 25 qershor”, tha Osmani duke shtuar se janë të qarta qëndrimet e 26 anëtareve tjera se është e paarsyeshme se Bullgaria nuk është e gatshme të japë dritë të gjelbër për kornizën negociuese dhe mbajtjen e konferencës ndërqeveritare në qershor dhe konsiderojnë se Maqedonia e Veriut i ka përmbushur kushtet dhe se është koha e fundit BE të japë porosinë për rajonin.