Veliut i shkoi sot vendimi i shkarkimit, akuza të rënda ndaj Abdixhikut
Ish-kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, Agim Veliu, ka reaguar ndaj vendimit të kryesisë së kësaj partie për kandidimin e Ekrem Hysenit, në garën për kryetarin e Podujevës, në zgjedhjet lokale që do të mbahen sivjet në vjeshtë.
Veliu e quajti këtë vendim skandaloz dhe arbitrar.
“Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës – Dega në Podujevë, Ashtu siç është informuar tashmë edhe opinioni i gjerë, Kryesia Qendrore e LDK-së më 09.06.2021 ka marrë një vendim, sa skandaloz dhe në kundërshtim me Statutin e partisë, po aq edhe të pamoralshëm, duke caktuar në mënyrë arbitrare kandidatin në garën për Kryetar të Komunës së Podujevës në zgjedhjet lokale dhe në të njëjtën kohë të njëjtit ia delegon të gjitha kompetencat të udhëheqë me Degën e LDK-së në Podujevë”.
“Për vendimin arbitrar dhe të paligjshëm të Kryesisë dhe të Kryetarit Abdixhiku, fillimisht isha informuar përmes mediave. Ndërsa, sot (e diel) më është përcjell vendimi skandaloz i nënshkruar nga kryetari i partisë, i cili nuk shquhet vetëm për shkelje të Statutit të partisë, por edhe për gabime drejtshkrimore, mbase nga ngutia për ta “përligjur” sa më shpejt shkarkimin Kryetarit të Degës në Podujevë”.
Ai tha se ky veprim i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, është spastrim i brendshëm në emër të organizimit të brendshëm.
“Tërë kjo maskaradë e Kryetarit Abdixhiku dhe përkrahësve të tij në Kryesi nuk është asgjë tjetër veçse një lojë e ndyrë dhe përpjekje për ta kamufluar vendimin në emër të kinse riorganizimit të brendshëm (lexo: spastrimit të brendshëm), të prezantuar në “Platformën e Kryetarit të LDK-së 2021-2023”.
Postimi i plotë:
Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës – Dega në Podujevë,
Ashtu siç është informuar tashmë edhe opinioni i gjerë, Kryesia Qendrore e LDK-së më 09.06.2021 ka marrë një vendim, sa skandaloz dhe në kundërshtim me Statutin e partisë, po aq edhe të pamoralshëm, duke caktuar në mënyrë arbitrare kandidatin në garën për Kryetar të Komunës së Podujevës në zgjedhjet lokale dhe në të njëjtën kohë të njëjtit ia delegon të gjitha kompetencat të udhëheqë me Degën e LDK-së në Podujevë.
Për vendimin arbitrar dhe të paligjshëm të Kryesisë dhe të Kryetarit Abdixhiku, fillimisht isha informuar përmes mediave. Ndërsa, sot (e diel) më është përcjell vendimi skandaloz i nënshkruar nga kryetari i partisë, i cili nuk shquhet vetëm për shkelje të Statutit të partisë, por edhe për gabime drejtshkrimore, mbase nga ngutia për ta “përligjur” sa më shpejt shkarkimin Kryetarit të Degës në Podujevë.
Tërë kjo maskaradë e Kryetarit Abdixhiku dhe përkrahësve të tij në Kryesi nuk është asgjë tjetër veçse një lojë e ndyrë dhe përpjekje për ta kamufluar vendimin në emër të kinse riorganizimit të brendshëm (lexo: spastrimit të brendshëm), të prezantuar në “Platformën e Kryetarit të LDK-së 2021-2023”.
Sado që dikush nga Kryesia u përpoq ta mohojë se ky vendim i paligjshëm e shkarkon Kryetarin e Degës, vetë teksti i vendimit i demanton diletantët e tillë politikë, të ulur në tavolinën e Kryesisë së LDK-së.
“Të gjitha kompetencat e udhëheqjes së degës së LDK-së në Podujevë, i kalojnë kandidatit të LDK-së. Kandidati udhëheqë me Kryesinë e degës, zyrën e degës dhe bashkërendon aktivitetet me kryetarët e nëndegëve në Komunën e Podujevës”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga Abdixhiku.
Madje, me këtë vendim skandaloz mëtohet t’i merren kompetencat, jo vetëm Kryetarit, por edhe Kryesisë së Degës, e cila defaktorizohet plotësisht sipas nenit 4 të këtij vendimi, lidhur me formësimin e listës për asamble komunale.
Një vendim i tillë jo legjitim, i atyre që e votuan dhe atij që e nënshkroi, nuk mund të quhet ndryshe, përveçse një atak i rëndë ndaj degës më të suksesshme në të gjitha proceset zgjedhore të pasluftës në Kosovë.
As Kryesia e LDK-së dhe as kryetari i saj nuk mund të shkarkojnë as emërojnë një kryetar dege, të zgjedhur në procese të rregullta zgjedhore nga Kuvendi i Degës.
Prandaj, për Degën e LDK-së në Podujevë dhe mua si kryetar i saj vendimi i 9 qershorit i Kryesisë Qendrore është jo ligjor dhe i pavlerë.
Kryesia e Degës së LDK-së do të mblidhet gjatë ditëve në vijim, do ta analizojë me kujdes situatën e krijuar.