Sela: I trishtuar thellë nga lajmi për aksidentin e sotëm tragjik në Sllavonski Brod të Kroacisë
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, u ka shprehur ngushëllime familjeve që humbën të afërmit e tyre si pasojë e aksidentit tragjik në Brod të Kroacisë, ku nga rrokullisja e autobusit kanë humbur jetën 10 persona.
“I trishtuar thellë nga lajmi për aksidentin e sotëm tragjik në Sllavonski Brod të Kroacisë, të një autobusi përplot me bashkatdhetarë që po ktheheshin nga Gjermania për në Kosovë. Raportimet jozyrtare flasin për dhjetë të vdekur dhe shumë të lënduar në mesin e të aksidentuarve.
Në këto momente të vështira, jemi përkrah familjarëve të viktimave, duke u lutur bashkarisht që të mbijetuarit e kësaj tragjedie të shërohen sa më shpejt.
Në kohën kur bashkatdhetarët po kthehen masivisht në vendlindje për sezonin e pushimeve, kjo fatkeqësi tregon edhe njëherë nevojën për të vozitur të pushuar dhe duke respektuar rregullat relevante të komunikacionit rrugor.
Ngushëllime familjeve që humbën më të dashurit e tyre. Sot është një ditë zie për të gjithë shqiptarët” thuhet në ngushëllimin e Selës.