Kuvendi nuk e miraton rezolutën për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar që të miratojnë një rezolutë për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, të arritur më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë.
Për rezolutën e propozuar nga partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës votuan 24 deputetë, ndërkaq 57 abstenuan. Ishin deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ata që abstenuan për miratimin e kësaj rezolute, ndërkaq në sallë ishin 83 deputetë.
Rezoluta ftonte Qeverinë e Kosovës të zbatonte këtë marrëveshje dhe të përgatiste një plan-veprim që do t’i dorëzohej kuvendit. Debati për këtë rezolutë ishte zhvilluar më 7 korrik.
Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar që presin nga Kosova dhe Serbia t’iu përmbahen detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Uashingtonit.
Përndryshe, rezolutat e miratuara nga kuvendi nuk janë detyruese, por pasqyrojnë vullnetin politik.
Mosvotimi i rezolutës për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit nuk duhet të shihet si mosvlerësim i rolit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thotë për Radion Evropa e Lirë, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje kundërshton nismën e ‘mini-Shengenit’ dhe ndarjen e resurseve me Serbinë për Liqenin e Ujmanit.