Trajneri i xhudos Driton Kuka nderohet me çmimin “Docotor Honoris Causa”, nga Universiteti i Prishtinës

Shpërndaje

Trajnerit të Kombëtares së Kosovës në xhudo, Driton Kuka, i është ndarë çmimi “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Çmimi iu nda nga rektori i UP-së, Naser Sahiti, në ceremoninë e organizuar në Bibliotekën Qendrore Universitare të Kosovës.

“Honoris Causa” është titulli akademik që një Universitet i akordon si mënyrë nderimi për kontributet, një vizitori të shquar në një fushë të caktuar apo përgjithësisht në shoqëri. Ky çmim Kukës iu nda për kontributin e dhënë në fushën e sportit dhe në njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në cilësinë e trajnerit, Kuka ka fituar tri medalje të arta olimpike, gjashtë medalje botërore, 18 evropiane, katër në Lojërat Evropiane dhe nëntë në Lojërat Mesdhetare, të gjitha në nivelin për seniorë.

Çmimi ishte propozuar nga dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit, Musa Selimi, njëherit anëtar i Bordit Ekzekutiv të KOK-ut.

Në ceremoni morën pjesë personalitete të larta nga sporti, kampionet olimpike, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e Nora Gjakova, medalisti i bronztë olimpik, Aziz Salihu, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, kurse Komitetin Olimpik të Kosovës, në mungesë të drejtuesve të saj, presidentit Ismet Krasniqi dhe sekretarit të përgjithshëm, Besim Aliti, të cilët ndodhen jashtë vendit, morën pjesë anëtarët e BE, Besire Domaniku dhe Musa Selimi.

Për çmimin të pranishmëve iu drejtua akteri kryesor i ngjarjes, Driton Kuka, rektori Naser Sahiti dhe laudatori Hasim Rushiti.

Pamjet dhe fjalimet e ceremonisë mund t’i gjeni në linkun: https://bit.ly/3SjuFH4
#DoctorHonorisCausa #DritonKuka #Judo