Katër dorëheqje pas tragjedisë në Tetovë, ku humbën jetën 14 persona nga zjarri që shkrumboi Qendrën Kovid
Dorëheqja e ministrit, Filipçe:
Tragjedia në Tetovë, ku vdiqën 14 persona si pasojë e zjarrit që e kaploi Qendrën Kovid mbrëmjen e 8 shtatorit, u bë shkas që ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe të japë dorëheqje.
Arsyeja e dorëheqjes janë shkaqet morale.
“Tragjedia e fundit në Tetovë me ka prekur shumë, nuk kam fjalë ta përshkruaj. Prandaj si mjek dhe ministër sot deponova dorëheqjen deri te kryeministri Zaev”, tha Filipçe.
Dorëheqja e zv.ministrit, Hasani:
Edhe zv/minsitri i Shëndetëisë, Ilir Hasani dorëhiqet pas tragjedisë që ndodhi në spitalin modular në Tetovë.
Ja postimi i tij i plotë
Në këto momente kaq të rënda për të gjith ne, jap dorëheqje si akti më i lart moral. Edhe përkundër faktit se nuk kam asnjë lidhje me procedurat vënjes së spitalit modular, edhe pse nuk kam asnjë lidhje as me pjesën organizative, dorëheqja është akti më i vogël që mund ta bëj në këto momente, për të respektuar viktimat, të lënduarit, opinionit dhe më së shumti veten.
Asgjë nuk ka mbi dinjitetin!
Dorëheqja e drejtorit të spitalit të Tetovës, Besimi:
Drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Florin Besimi ka dhënë dorëheqje.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Besimi.
Më poshtë njoftimi i plotë:
Të nderuar qytetarë, të dashur tetovarë,
Më lejoni që në emrin tim dhe në emër të të gjithë të punësuarve nga Spitali Klinik i Tetovës, edhe njëherë të shpreh ngushëllimet deri te familjet e viktimave që humbën jetët e tyre në ngjarjen tragjike që ndodhi në Spitalin modular për KOVID në Tetovë.
Si mjek, i cili tërë jetën time profesionale i’a kam përkushtuar shërimit të bashkëqytetarëve tanë dhe si njeri i parë i Spitalit Klinik të Tetovës, me të cilin udhëheq gjatë viteve të fundit, ndjej përgjegjësi morale nga ngjarja e tmerrshme në të cilën u shuan jetë njerëzish.
Të nderuar, me dhimbje të pashuar për çdo viktimë dhe çdo familjarë të tyre, Ju informoj se për shkak të kësaj përgjegjësie morale që e ndjej, jap dorëheqje nga pozita e drejtorit të Spitalit Klinik në Tetovë.
Pas kësaj ngjarje të tillë tragjike dhe fatkeqe, ky vendim është i pashmangshëm.
Njëkohësisht, shpresoj që të përfundojë hetimi i plotë sa me shpejtë dhe të zbardhen arsyet e zjarrit në Qendrën modulare të Klinikës së Tetovës për pacientët me Covid-19.
Dorëheqja ime nuk do t’i ngushëllojë familjet, por besoj se do të vendos një linjë morale të cilën të gjithë ne si shoqëri e kemi harruar.
Humbja e jetës njerëzore në një gjendje të tillë është tragjedi e madhe.
Funksioni nuk qëndron para dinjitetit dhe humanitetit.
Të lënduarve ju uroj shërim sa më të shpejtë!
Unë me besim të plotë tërë jetën time e kam vënë në shërbim të shëndetit të qytetarëve dhe të shoqerisë tonë. Shpreh respekt dhe ngushëllime ndaj tetovarëve të mi dhe unë do të mbetem në shërbim të përhershëm të tyre.
Zoti e bekoftë Tetovën time dhe tetovarët e mi!
Me bashkëndjesi të thellë dhe sinqeritet,
Florin Besimi
Dorëheqja e drejtorit ekonomik, Etemi:
Duke ndjerë dhimbjen e thellë nga tragjedia që ndodhi në qendrën modulare në Tetovë, si dhe duke qenë prezent vetë në vendin e ngjarjes, nga pamjet trishtuese që kam përjetuar duke nxjerrë edhe vetë me duart e mia kufomat e viktimave, në cilësinë e drejtorit ekonomik të Spitalit të Tetovës jap dorëheqjen time si një akt moral.
Qëndroj besnik në parimin se organet hetuese dhe ekspertët e angazhuar ndërkombëtar do zbulojnë arsyen e vërtetë se si erdhi deri te tragjedia që ndodhi në qendrën modulare dhe që theu zemrat tona.
Bashkëndjej dhimbjen me familjarët e viktimave.
Artan Etemi