“Negociatat, në fund të vitit”/ Von der Leyen në Tiranë: “Ballkani i hapur” i mirëpritur
Pak ditë para samitit të tetorit të Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, Shqipërisë i premtohet një tjetër datë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, vendosi si afat të radhës fundin e 2021-it, si vitin kur vendi ynë dhe Bashkimi Evropian do të ulen në të njëjtën tryezë për të zyrtarizuar nisjen e negociatave anëtarësuese.
Pasi nënvizoi se Shqipëria i ka përmbushur kushtet e vendosura nga BE, Ursula Von Der Leyen, nuk tha nëse kjo do të shërbejë që vendi ynë të nisë negociatat I vetem, për aq kohë sa Bullgaria nuk heq dorë nga vetoja e saj për Maqedoninë e Veriut.
Ne kemi punuar fort për çeljen e kësaj konference të parë qeveritare dhe ritheksoj se ju i keni bërë detyrat tuaja. Ne do të bëjmë gjithçka që të kërcejmë ato vështirësi e pengesa. Shpresoj që ne të fillojmë me konferencën e parë ndërqeveritare para fundit të 2021. Ky është synimi im.
Si në çdo deklaratë të Bashkimit Evropian për Ballkanin e Hapur, presidentja e Komisionit përsëriti të njëjtin qëndrim.
Çdo nismë tha Ursula Von Der Leyen që në thelb ka Procesin e Berlinit duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke nënkuptuar që tre vendet kundër Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina, duhet të jenë pjesë e Ballkanit të Hapur për të mundësuar një nga shtyllat kryesore të procesit të Berlinit, krijimin e tregut të përbashkët rajonal.
Çdo iniciative që është brenda për brenda procesit të Berlinit e cila është bashkëpunuese mirëpritet prej nesh. Ne nuk duhet të shikojmë me imtësi fjalët, por të shikojmë kontekstin i cili propozohet, pra të jetë një proces i hapur, gjithëpërfshirës, i cili i shtyn të gjithë që të ecin përpara dhe i fton të gjithë të jenë pjesë e tyre dhe thellon marrëdhëniet mes vendeve dhe bashkëpunimin, ndërmjet ekonomive të ndryshme të rajonit. Pra të ketë një integrim të thellë të ekonomive sepse kjo në vetvete është pjesë e procesit të Berlinit.
Në vizitën disaorëshe në Tiranë, presidentja e KE-së, pati një takim me presidentin Ilir Meta dhe vizitoi në shkollë e një kopsht të ri-ndërtuar pas tërmetit me fondet e BE-së në Fushë-Krujë.