Maqedoni

Selami: Qytetarët nuk e kanë obligim të shkojnë në komunë për tu regjistruar

Shpërndaje

Kur kanë mbetur edhe 3 ditë deri në fund të regjistrimit të popullsisë disa qytetarë përmes rrjeteve sociale janë shprehur të brengosur se ende askush nuk ka shkuar tek shtëpitë e tyre për t’i regjistruar. Thonë se ka lagje të tëra që nuk janë të regjistruar në Dizhon të Çairit. Por zëvendësdrejtori i Entit për statistikë Ilmi Selami thotë se nuk ka nevojë për shqetësim pasi sipas tij të gjithë qytetarët do të regjistrohen.

“Regjistruesit janë në terren gjithandej. Ju e dini se Komuna e Çairit është me territor e vogël, por është me banor shumë. Ashtu e kanë kaluar regjistruesit në terren, kur mbaron një rreth, fillojnë me rrethin tjetër. Janë në terren të gjitha qarqet, të gjitha rrethe janë të përfshira. Ato të cilët nuk i ka vizituar regjistruesi ka edhe tre ditë afat që t’i vizitojnë ma merr mendja do të përfundoj gjithçka si duhet”, tha Ilmi Selami – zv. drejtor i Entit Shtetëror për Statistikë.

Qytetarët nuk janë të detyruar të shkojnë në komunë për tu regjistruar, sqaron Selami.

“Përderisa regjistruesi gjendet në terren dhe ata në shtëpi nuk mund të presin për arsye të ndryshme, për udhëtim jashtë vendit, për arsye të ndryshme, ose thjeshtë nuk dëshiron të pret regjistruesin në shtëpi, është i padurushëm, mund të shkoni te Komuna dhe kështu ka mbaruar aktin. Kjo është e tëra. Nuk është një paralajmërim se regjistruesi nuk do tu vjen në shtëpi dhe ju hajdeni tash në pikat e regjistrimit”, shtoi zëvendësdrejtori i Entit Shtetëror për Statistikë, Ilmi Selami.

Ndryshe sot është dita e 23-të e Regjistrimit. Regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut filloi më 5 shtator dhe do të zgjasë deri më 30 shtator. Deri më tani janë regjistruar mbi 1.619.857 persona, 503.491 amvisëri dhe 711.695 banesa. Ndërsa janë regjistruar 198.589 qytetarë nga diaspora. /TV21/