Shtrëngime të forta, Kosova zyrtarizon masat e reja kundër koronavirusit
Ministri i Shëndetësisë së Kosovës Arben Vitia ka prezantuar të gjitha masat e reja anti-COVID që pritet të hyjnë në fuqi nga nesër. Vitia përmes një konference për media tha se këto masa mund të ndryshojnë edhe gjatë kohës sa janë në fuqi, varësisht nga situata në terren.
“Pas shumë diskutimeve është vendosur të vazhdojnë edhe dy javë të tjera, një pjesë do të shtohen ashtu siç kemi paralajmëruar në vendim.
Aktiviteti mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar, duke përfshirë edhe institucionet e arsimit parashkollor dhe të qëndrimit ditor pezullohet deri me datë 26 shtator 2021.
Ky pezullim vlen edhe për aktivitetin mësimor me prezencë fizike në institucionet publike dhe private të arsimit universitar.
Për familjet me fëmijë të regjistruar në institucione parashkollore dhe me dy prindër të punësuar (ose qe ka vetëm një prind dhe ai prind është i punësuar), njëri prind lirohet nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë gjatë periudhës 13 – 26 shtator 2021″ tha Vitia.
Ai tha se nuk do të hiqet ora policore dhe se kufizimi i qytetarëve do të vazhdojë nga ora 22 deri në ora 5.
“Studentët për regjistrim në konvikt duhet të paraqesin testin ose kartelën e vaksinës. Institucionet publike dhe private deri më 26 shtator obligohen që në punë të paraqitet vetëm stafi esencial.
Kufizimi i qytetarëve vazhdon nga ora 22 deri në ora 5. Bibliotekat lejohet të punojnë duke shfrytëzuar 30 përqind të hapsirës”, shtoi Vitia.
Ai tha se të gjitha këto masa mund të ndryshohen varësisht nga situata në terren, edhe gjatë periudhës sa janë në fuqi, mund të lirohen apo të forcohen./Gazeta Ekspress