MaqedoniTop Lajme

Ali Ahmeti nga Haraçina: Ne të gjithë e mbështesim Ridvan Ibrahimin, rretho numrin 3

Shpërndaje

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), fushatën parazgjedhore e vazhdoi në komunën e Haraçinës, duke prezantuar kështu listën e kandidatëve për këshilltar në këtë komunë dhe kandidatin për kryetar të komunës, Ridvan Ibrahimi.

Para të pranishmëve fjalim rasti ka mbajtur kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, deputeti Arbër Ademi, kandidati për kryetar Ridvan Ibrahimi si dhe funksionar të tjerë.

Kryetari i BDI-së Ahmeti para të pranishmëve shtoi se prioritet i BDI-së ka qenë ngritja e kuadrove dhe shkollimi i tyre.

“Unë jam sot këtu me bashkëpunëtorë për të demonstruar fort para juve që Haraçina dhe kandidati juaj ka mbështetjen e institucioneve dhe BDI-së, për të realizuar projekte në të mirë të qytetarëve për të bërë punë në dobi të brezave që do vijën. Jemi përballur në situata të vështira por asnjëherë nuk kemi ngritur flamurin e bardhë e nëse mendoni se BDI do e ngrejë flamurin e bardhë e ka shumë gabim, sepse ne nuk na lejon origjina e kodi gjenetik që e kemi dhe origjina jonë nuk është e thjeshtë sepse nuk kemi dal nga televizorët të bëhemi politikan. E ardhmja jonë është NATO që e kemi realizuar, BE-ja që do e realizojmë së shpejti dhe sot Agjenda e gjelbër, rinia që ne kemi dhe jemi shumë të vendosur ta realizojmë si një realitet pas kapitujve që kemi përmbyllur”, ka thënë në fjalimin e tij, kryetari i BDI-së Ahmeti.

Deputeti Arbër Ademi ka deklaruar se fitorja e Ridvan Ibrahimit nuk është aspak në mëdyshje.

“Kur e hapëm shtabin në Haraçinë tham se vjen aromë fitore, ajo aromë fitore vjen edhe sonte. E pakontestueshme e aspak e vënë në mëdyshje është fitorja e Ridvan Ibrahimit. Jemi këtu në krye me kryetarin Ahmeti për të dhënë mbështetje të fuqishme për Ridvanin. Të angazhohemi duke bërë fushatë që një votë e më tepër të sigurohet që Ridvani të jetë krye të Haraçinës”, ka theksuar kështu para të pranishmëve deputeti Arbër Ademi.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi ka shtuar para të pranishmëve se pa zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit nuk do të kishte të punësuar në institucione shtetërore.

“Me sa po shoh Agjenda e blertë më së shumti ka zënë rrënjë në Haraçinë. Vajza e djem të ri në skenë, në krye të listës një djal i ri, kjo mund të ishte e paimagjinushme deri dje, por është rezultat i sakrificës ndërvite. Pa zbatimin e MO nuk do të kishim të punësuar në institucione të ndryshme nga asnjë komunë tjetër. Më e rëndësishme e shqiponjës është që të kthehen në vendin e vet dhe ka ardhur koha që shqiponja të kthehet në Haraçinë dhe tek Ali Ahmeti”, ka deklaruar kështu Zëvendëskryeministri i parë Grubi.

Ndërkohë, kandidati për kryetar komune Ridvan Ibrahimi ka shtuar se janë në prag të shënimit të kapitullit të ri që ofron zgjidhje të problemeve në komunën e Haraçinës.

“Vendosa të marr përgjegjësinë e rradhës. Komuna e Haraçinës katër vite më parë kaloi në një terr të madh dhe u bindëm se rezultatet ishin vetëm dëshmi e revoltës së popullatës dhe jo zgjidhje e problemeve dhe këtyre problemeve ju shtua edhe një plus. Jemi në prag të shënimit të një kapitulli të ri që do të ofrojë zgjidhje të reja për problemet tona, morëm mësimin e duhur që na mësoi se kurrë nuk duhet shprehur revoltën në dëmin tonë. Ky dëm neve na kushtoi katër vite. Që të ndryshojmë këtë gjendje kërkoj që më 17 Tetor të na jepni mbështetje neve si BDI e mua si kandidat”, ka deklaruar kështu Ibrahimi.

Bashkimi Demokratik për Integrim në këto zgjedhje lokale garon me 19 kandidat për kryetar komune dhe me 35 lista për këshilltarë. Gjatë ditëve të fushatës do të vizitohen të gjitha qytetet, komunat dhe vendbanimet për të prezantuar kandidatët për kryetar komunash dhe këshilltarë komunale.

BDI sot fushatën do ta vazhdojë në komunën e Velesit ku do të prezantojë listën për këshilltarë si dhe në Çashkë ku do të prezantojë Suat Shaqirin kandidat për Çashkë dhe listën për këshilltarë.