Haxhiu uron Kurtin dhe kabinetin e ri qeveritar
Pas votimit të Qeverisë së re të Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka uruar kryeministrin dhe kabinetin e ri, duke theksuar rëndësinë e funksionalizimit të plotë të institucioneve të vendit. Haxhiu ka nënvizuar se përpara institucioneve të Kosovës qëndrojnë sfida dhe detyra të rëndësishme, nga reformat dhe zhvillimi ekonomik, te forcimi i sundimit të ligjit dhe avancimi i pozitës ndërkombëtare të vendit. Ajo ka bërë thirrje që të përmbyllet edhe procesi i zgjedhjes së Presidentit, duke theksuar se Kosovës i duhen institucione të forta, funksionale dhe stabile, pa vonesa të mëtejshme.
Postimi i plotë:
Kuvendi i Republikës së Kosovës votoi Qeverinë e re, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Uroj kryeministrin dhe të gjithë kabinetin e ri, duke u dëshiruar punë të mbarë dhe suksese në përgjegjësitë që kanë marrë.
Përpara kemi shumë punë të përbashkët në jetësimin e reformave, zhvillimin e ekonomisë, forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
Kuvendi do ta bëjë pjesën e vet, duke ndjekur agjendën legjislative dhe duke ushtruar mbikëqyrjen parlamentare mbi punën e ekzekutivit.
Me votimet e sotme, Republika e Kosovës tashmë i ka Kuvendin dhe Qeverinë. Mbetet edhe një hap i rëndësishëm për kompletimin e institucioneve e që është zgjedhja e Presidentit të Republikës.
Pres që deputetët ta ushtrojnë përgjegjësinë e tyre kushtetuese dhe që ky proces të përmbyllet me sukses.
Kosova ka nevojë për institucione të forta, funksionale dhe stabile dhe jo për pritje dhe vonesa të reja.

