Ali Ahmeti nga Hasanbegu: Agjenda e blertë në fokus të BDI-së për jetë më të mirë
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), fushatën parazgjedhore e vazhdoi sonte në Hasanbeg të komunës së Gazi Babës, duke prezantuar kështu listën e kandidatëve për këshilltar në këtë komunë.
Para të pranishmëve fjalim rasti ka mbajtur kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi si dhe bartësi i listës së kandidatëve për këshilltar, Safet Ademi.
Kryetari i BDI-së Ahmeti para të pranishmëve shtoi se prioritet i BDI-së ka qenë ngritja e kuadrove dhe shkollimi i tyre.
“Kishim detyrim të zbatojmë dhe punojmë për programin tonë që përcaktonin marrëveshjen ndërkombëtare që nënshkruam, BDI mbi të gjitha unë si drejtues i saj, kam pasur prioritet ngritjen e kuadrove shkollimin dhe specializimin e tyre, sepse kështu kam menduar se i kontriboj kombit për përballje me struktura në Bruksel e Uashington. Poashtu edhe përballje në institucionet e vendit në drejtimin e shtetit sepse nuk kam dashur të turpërohemi si komb por të tregojmë vlera dhe konkurencë, sepse gjërat kur punon dhe mbyll kapitullin e trimërisë fillon kapitulli i mençurisë”, ka vlerësuar kështu në fjalimin e tij, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.
Zëvendëskryeministri i parë Grubi gjatë fjalimit të tij para të pranishmëve ka theksuar se tashmë fokusi është tek gazifikimi, ndërtimi i hekurudhave, digjitalizimi etj.
“Kënaqësi e madhe të shoh në numër kaq të madh bashkëpartiakët tanë dhe më kujton një tubim të vitit 2013, kur kryetari kishte vendosur që të garojmë për qytetin e Shkupit, kishte mobilizim të madh për ato zgjedhje duke grumbulluar rekord numër prej 31 mijë vota, dhe kjo frymë vazhdon edhe sonte e të njejtët do të rreshtohen duke rrethuar numrat e BDI-së. Sot Hasanbegut i kemi kthyer atë që i kemi marrë dhe kemi kuadro të cilat na e zbardhin fytyrën jo vetëm BDI-së por edhe gjithë shqiptarëve. Jemi duke përpiluar projekte të cilat dy dekada me rradhë kemi synuar për t’i realizuar. Para dy ditëve kishim presidentin e Bechtel të cilët ishin për të ndërtuar Korridorin 8, dhe njëkohësisht ndërtojmë rrugën drejt Bllacës, ndërsa pak javë më parë vendosëm gurrëthemelin e bulevardit Hasan Prishtina. Jemi fokusuar në gazifikim, në hekurudha, në digjitalizim, në kanalizime dhe ujësjellës në gjithë vendbanimet dhe kjo është BDI një parti që ringjall veten si feniks”, ka theksuar në fjalimin e tij Zëvendëskryeministri i parë Grubi.
Bartësi i listës së kandidatëve në komunën e Gazi Babës nga rradhët e BDI-së, Safet Ademi theksoi se do të punojnë me seriozitetin më të madh për të bërë jetën më të mirë për qytetarët gjatë mandatit të ri.
“Vetë pjesëmarja e përfaqësuesve më të lartë të BDI-së vërteton përkrahjen e programit tonë zgjedhor për këto zgjedhje lokale. Ne nuk do të flasim dhe nuk do të meremi me të kaluarën por me të ardhmen. Vetëm do të them se e kaluara është kohë e thënieve ‘I kam thënë, më ka thënë’, tani është koha e projekteve. Kam të drejtën të them se ekipi im ka hartuar platform me të cilën do të punojmë në katër vitet e ardhëshme”, ka theksuar kështu bartësi i listës së kandidatëve për këshilltar Safet Ademi.
Bashkimi Demokratik për Integrim në këto zgjedhje lokale garon me 19 kandidat për kryetar komune dhe me 35 lista për këshilltarë. Gjatë ditëve të fushatës do të vizitohen të gjitha qytetet, komunat dhe vendbanimet për të prezantuar kandidatët për kryetar komunash dhe këshilltarë komunale.
BDI nesër fushatën do ta vazhdojë në komunën e Velesit ku do të prezantojë listën për këshilltarë si dhe në Çashkë ku do të prezantojë Suat Shaqirin kandidat për Çashkë dhe listën për këshilltar.