BDI: Agjenda e blertë, nevojë dhe perspektivë e re e zhvillimit të Zhelinës

Shpërndaje

Në konferencën e sotme për shtyp, Bashkimi Demokratik për Integrim ka prezantuar programin e punës për ndryshimin dhe zhvillimin e komunës së Zhelinës në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Fatmir Izairi, kandidat për kryetar të komunës së Zhelinës nga BDI, ka potencuar se BDI ofron zgjidhje për problemet duke dalur para banorëve të komunës së Zhelinës me vizion të qartë dhe me ardhmëri të projektuar të veprimit efikas në shërbim të tyre.

Ai ftoi banorët e Zhelinës që më 17 Tetor të përkrahin Agjendën e blertë dhe të ti hapin rrugën perspektivës së re të zhvillimit që ka targetuar çdo nevojë të tyre për jetë cilësore.

Në vazhdim po ua sjellim fjalimin e plotë nga konferenca për shtyp:

Të nderuar qytetarë,

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Bashkimi Demokratik për Integrim del gjithmonë para qytetarëve me program konkret, të projektuar për të mundësuar jetë më cilësore dhe për të zgjidhur problemet e tyre.

Sot jemi këtu për të prezantuar programin për ndryshimin dhe zhvillimin e komunës së Zhelinës.

Programi ynë ka synim përmbushjen e objektivave për zhvillimin ekonomik lokal të qëndrueshëm për më shumë punësime, infrastrukturë moderne rrugore, ujë të pijshëm, rrjet kanalizimi në çdo vendbanim, arsim cilësor me infrastrukturë shkollore bashkëkohore, si dhe sport dhe rekreacion, mjedis të pastër dhe të shëndetshëm, jetë më cilësore për të gjithë, qeverisje transparente dhe administratë efikase në shërbim të çdo banori.

Zhelina ka nevojë për ndryshim, ka nevojë për agjendën e blertë si projekt inovativ dhe perspektivën e saj të zhvillimit. E blerta është përgjegjësi dhe betim për të bërë më të mirën në shërbim të qytetarëve.

Të nderuar qytetarë,

Më 17 Tetor vota juaj do të mundësojë që agjenda e blertë të fillojë rrugëtimin e realizimit për të mundësuar jetë cilësore dhe zgjidhje të problemeve në Zhelinë. Mbi parimin e transparencës së plotë do të prezantoj para jush disa nga projektet e mëdha dhe më të rëndësishme.

Përmirësimi i infrastrukturës rrugore përfshin: Ndërtimin dhe rikonstruimin e rrugës nga shkolla në vendbanimin Zhelinë deri te hyrja në vendbanimin Strimnicë, ndërtimin e bulevardit në f.Zhelinë sipas të gjitha standardeve, asfaltimin ose bekatonizimin e rrugës prej në f.Strimnicë deri në f.Saraqinë, ndërtimin e rrugës nga rruga regjionale 402 deri në hyrje të f.Pallaticë, ndërtimin e rrugës nga hyrja në f.Pallaticë deri në qendër të f.Uzurmisht, asfaltimin e rrugëve 106 dhe 107 në fshatin Zhelinë, hapjen dhe asfaltimin e rrugës lidhëse për dy fshatrat Novosellë – Rogle në gjatësi prej 900m, asfaltimin e rrugëve prej fshatit Grupçin deri te rruga e fshatit Debërc, Çiflik – Debërcë, në fshatin Kapazhdoll dhe i rrugës në fshatin Llërc (prej te shkolla e
fshatit deri në përfundim të fshatit).

Agjenda e blertë do të mundësojë ndërtimin e shtratit të lumit Vardarit dhe prockave të tjera si në f.Pallaticë, Trebosh, Leshnicë, LLërc-Çiflik , Dëbërc; pastrim të deponive të egra, shtretëve të lumenjëve, mbajtja e higjienës publike, kujdesi për rrjetin e kanalizimit dhe ujësjellësit.

Në sferën e arsimit cilësor do të investohet për rekonstruimin e objektit shkollor në f.Trebosh sipas projektit ekzistues, zgjerim dhe rekonstruim i objektit shkollor në f.Uzurmisht, rikonstruim i objektit shkollor në f.Dëbërc ( fasadim), mbindërtim dhe rikonstruim i shkollës në f.Rogle, përfundim i shkollës në f.Cerovë, përfundimi i shkollës në f.Leshnicë e Poshtme.

Në komunën e Zhelinës në program parashihet investim në sferën e zhvillimit të infrastrukturës sportive për ndërtimin e terreneve dhe sallave sportive pothuajse në çdo vendbanim të komunës së Zhelinës.

Të nderuar qytetarë,

Programi për zhvillimin katërvjeçar të Zhelinës përfshin informacione të detajuara për çdo projekt dhe është zëri juaj i kërkesës për ndryshim.