Maqedoni

Grubi: Do të vazhdojmë shumë më tepër ta faktorizojmë shqiptarinë e Velesit

Shpërndaje

Prezantimin e programit të saj zgjedhor të bazuar në përbetimet e agjendës së blertë dhe projektet për jetë cilësore, Bashkimi Demokratik për Integrim i ka vazhduar sot në Buzallkovë të komunës së Velesit, duke prezantuar njëherit edhe listën e kandidatëve për këshilltarë për Komunën e Velesit të kryesuar nga z. Nevzat Muaremi. Para banorëve të Velesit me fjalë rasti u drejtuan kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti dhe Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi.

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi faleminderoi banorët e Velesit për mikëpritjen në numër të madh duke dëshmuar përkrahjen ndaj agjendës së blertë. Ai potencoi se vetë prezenca e ekipit të ekzekutivit të BDI-së në takimin me banorët e Velesit dëshmon përkrahjen për shqiptarët e këtij rajoni dhe angazhimin për fuqizimin e tyre në procesin e vendimmarrjes në nivel lokal, por edhe përkrahjen për listën e kandidatëve për këshilltarë dhe bartësin e saj të listës, z. Nevzat Muaremi.

“Ju uroj që të jeni sa më të bashkuar dhe t’ua kërkoni votën të gjithëve. Mos ngurroni që të trokitni në derë edhe të komunitetit boshnjak, edhe të komunitetit maqedonas, edhe të komunitetit rom, edhe të komunitetit turk, çdokënd që e njihni kërkojeni votën sepse oferta e BDI-së është më e mira. Kur ne jemi vendimarrës, kur ne jemi vendimtarë vendosim mirë jo vetëm për shqiptarët, vendosim mirë për të gjithë. Kur u bëmë vendimtarë e sollëm vendin në NATO, kur u bëmë vendimtarë e sollëm barazinë gjuhësore, kur u bëmë vendimtarë fituan të gjithë nga fakti se BDI-ja u bë vendimtare kush do të jetë në qeverisjen vendore e kush në atë lokale. Prandaj, jam i bindur se të gjithë ju bashkërisht bashkë edhe më shumë me të gjithë që nuk janë sot këtu me ne, do të votoni Nevzatin dhe do të dërgoni këshilltar shqiptar në Këshillin e Komunës së Velesit në mënyrë që ti prijë proceseve për të mirën tuaj. Do të vazhdojmë shumë më tepër ta faktorizojmë shqiptarin e Velesit, ti rikthehet rrënjëve, të votojë Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të bëhet më i dobishëm për veten e vet.” – u shpreh Grubi në fjalimin e tij.