Publikohet versioni final i aktakuzës ndaj Gucatit dhe Haradinajt, përmenden edhe Tomë Gashi dhe Faton Klinaku
Pak ditë para se zyrtarisht të fillojë procesi gjyqësor në rastin Gucati dhe Haradinaj, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka publikuar aktakuzën finale ndaj dy krerëve të OVL-UÇK-së.
Risi e kësaj aktakuze është përmendja e emrave të Faton Klinakut dhe avokatit Tomë Gashi në këtë rast.
Sipas prokurorit të Specializuar më datë 7 dhe 25 shtator të vitit 2020, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj, Faton Klinaku dhe Tomë Gashi shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial të hetimeve të Speciales dhe inkurajuan të tjerët të përhapin më tej këto informacione konfidenciale.
Mirëpo ndonëse përmenden në aktakuzë Klinaku dhe Gashi nuk janë të akuzuar, ndërsa procedura zhvillohet vetëm ndaj dy krerëve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Të dy pritet që nga nesër të gjykohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, kanosje gjatë procedurës penale, hakmarrje dhe shkelja e fshehtësisë së procedurave përmes zbulimi i identiteteve dhe të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur.
Sipas zyrës së prokurorit të specializuar Gucati dhe Haradinaj duke e shfrytëzuar pozitën e tyre organizuan konferenca për shtyp në të cilat i vunë në dispozicion për shtypin të dhënat konfidenciale të hetimeve të speciales duke përfshirë edhe emrat, vendbanimet dhe punësimin e katër dëshmitarëve.
Sipas ZPS-së, Nasim Haradinaj shpalosi gjithashtu emrat, vendbanimet, numrat e telefonit, të dhëna të tjera personale, deklarata dhe informacione në lidhje me intervistat e dëshmitarëve, përfshirë shqiptarë, romë dhe serbë.
Tutje aktakuza përshkruan se dy krerët e OVL-UÇK-së, në konferencën e dytë kishin përmendur emrat e dy personave që kishin bashkëpunuar me task forcën hetimore.
Dokumentet e shpërndara nga Gucati dhe Haradinaj sipas ZPS-së përfshinin emra dhe të dhëna personale të dëshmitarëve të cilët ndër të tjera i quanin gënjeshtarë, spiunë dhe tradhtarë.
Këto veprime sipas prokurorisë kishin ndikuar që dëshmitarët dhe anëtarët e familjeve të tyre të frikësohen e po ashtu ndikuan që siguria, privatësia, reputacioni dhe mjetet e tyre të jetesës të kërcënohen.
Për këto akuza të dy ishin arrestuar më 25 shtator në Prishtinë e më pas ishin transferuar për në Hagë. Ata ishin arrestuar pasi dyshoheshin se kishin ndërmarrë veprime për pengim të punës së Dhomave të Specializuara duke shpërndarë informacione konfidenciale dhe frikësuar dëshmitarë.
Që nga ajo kohë dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës, Gucati dhe Haradinaj po vazhdojnë të mbahen në paraburgim.
Pak muaj pas arrestimit ndaj tyre prokurorët e specializuar kishin ngritur aktakuzë e cila ishte konfirmuar më 14 dhjetor të vitit 2020.