Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Burdurit e organizuan Kongresin V Shkencor

Shpërndaje

Prej 27 deri më 30 shtator 2021 në Universitetin e Burdurit “Mehmet Akif Ersoy” u mbajt Kongresi i 5 – të Ndërkombëtar i Shkencës së Materialeve dhe Polimereve (ISCMP 2021), bashkorganizator i të cilit ishte edhe Universiteti i Tetovës.

Në kuadër të këtij kongresi, u mbajt Samiti i Rektorëve, ku përveç Universitetit të Tetovës, morën pjesë përfaqësuesit e Universitetit të Tiranës, Universitetit të Elbasanit, Universitetit të Vlorës, Universitetit të Shkodrës dhe Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.
Në këtë forum në të cilin u diskutua bashkëpunimi në nivelin më të lartë me qëllim të inicimit, zhvillimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit shkencor, akademik dhe kulturor midis universiteteve, Universiteti ynë u përfaqësua nga prorektori për shkencë, Prof. Dr. Hazir Pollozhani, prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar Prof. Dr. Shefik Shehu, përgjegjësi i zyrës së doktoraturës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti dhe përgjegjësi i zyrës për shkencë Prof. Dr. Agon Memeti.

Të gjithë pjesëmarrësit u dakorduan rreth nevojës së bashkëpunimit konkret, i cili duhet të përfshijë shkëmbimin e studentëve, shkëmbimin e stafit akademik, realizimin e projekteve të përbashkëta kryesisht në kuadër të platformës ERASMUS+ dhe jo vetëm, organizimin e konferencave shkencore të përbashkëta dhe të ngjashme.