Rezultatet e mëngjesit: BDI kryeson në shumicën e komunave, Arsovska përpara Shilegovit në Shkup
KSHZ ende po i numëron votat nga zgjedhjet e mbrëmshme lokale. Për Qytetin e Shkupit për momentin janë numëruar 73.96% e votave ndërsa sipas tyre, Danella Arsovska – kandidate e pavarur, po udhëheqë garën e ngushtë së bashku me Petre Shilegov, kandidat i LSDM-së.
Më saktë, për momentin Danella Arsovska udhëheqë me 62,579 vota apo 37,19% përpara Shilegov i cili deri tani ka grumbulluar 59,265 vota apo 35,22%. Dallimi mes tyre është 3314 vota. Kandidati i tretë me radhë në Shkup është Pero Georgievski nga Levica i cili deri tani ka grumbullaur 14,283 vota.
Në Haraçinë përfundimisht do të ketë raund të dytë. Atje janë numëruar të gjitha votat ndërsa në raund të parë ka fituar Ridvan Ibraimi i BDI-së, ndërsa e dyta doli Milikije Halimi nga LSDM. Ibraimi grumbulloi 2286 vota ndërsa Halimi 2023.
Në Vrapçisht gjithashtu janë numëruar të gjitha votat ndërsa Isen Shabani i ASH/AA doli i pari me 3946 vota, e i dyti Nebi Rexhepi i BDI-së me 3298 vota. Edhe këtu do të ketë raund të dytë.
Në Gostivar Arben Taravari ka korrur fitore kundrejt Nevzat Bejtës. Taravari grumbulloi gjithsej 15724 vota ndërsa Nevzat Bejta 13190. Fadil Zendeli këtu mblodhi 909 vota ndërsa Renata Elezi vetëm 333.
Në Dibër Bekim Pocesta nga ASH/AA ka fituar kundrejt Hekuran Dukës së BDI-së. Pocesta mblodhi 3998 vota ndërsa Hekuran Duka 3713.
Në Zhelinë gjithashtu janë numëruar të gjitha votat. Këtu Fatmir Izairi ka fituar 4296 vota kundrejt kryetarit aktual Blerim Sejdiu me 3877 vota.
Në Kërçovë Fatmir Dehari është shumë pak prapa kandidatit të VMRO-DPMNE-së Aleksandar Jovanovski. Në Kërçovë Jovanovski prinë me 8801 vota kundrejt Fatmir Deharit me 8545 vota. Do të ketë raund të dytë.
Në Kumanovë, kandidati i vetëm shqiptar Bekim Saliu doli i katërti sipas votave me vetëm 4254 vota. I pari doli Maksim Dimitrievski me 15151 vota ndërsa menjëherë pas tij qëndron Oliver Ilievski me 15098 vota. Këtu janë numëruar 99,88% të votave dhe nuk pritet ndonjë ndryshim. Do të ketë raund të dytë.
Në Likovë bindshëm ka fituar Erkan Arifi nga BDI me gjithsej 7087 vota kundrejt Arsim Idrizit nga ASH/AA me 1664 vota. Erkan Arifi fitoi që në raund të parë me 72,59% të votave.
Në Saraj gjithashtu BDI ka fituar bindshëm dhe atë: Blerim Bexheti fitoi 10,790 vota kundrejt Kerim Mamuti 2606 vota. Hasim Murtezani grumbulloi 893 vota ndërsa Ilir Krosi nga PDSH vetëm 87 vota.
Struga gjithashtu udhëhiqet nga BDI në krye me Ramiz Merkon edhe pse gara është e ngushtë. Janë numëruar 100% të votave por do të ketë edhe raund të dytë. Ramiz Merko në Strugë fitoi 10956 vota ndërsa Idri Istrefi nga ASH/AA fitoi 9421 vota.
Studeniçani i takoi përsëri Azem Sadikut por përsëri do të ketë raund të dytë. Sadiku në raund të parë fitoi 2935 vota ndërsa Ejup Abazi i BDI-së mblodhi 2415 vota.
Në Tearcë Nuhi Neziri i BDI-së ka fituar raundin e parë por edhe këtu do të ketë raund të dytë. Neziri mblodhi 3818 vota kundrejt NAzim Taipit nga ASH/AA me 2362 vota.
Në Tetovë ka balotazh mes Bilall Kasamit dhe Teuta Arifit. Kështu, në raund të parë Teuta Arifi është në epërsi të vogël kundrejt me Kasamit. Arifi grumbulloi gjithsej 11138 vota ndërsa Bilall Kasami 10496 vota.
Sadi Bexheti i PDSH-së mblodhi 3840 vota ndërsa Vullnet Murseli 6165 vota.
Në Shuto Orizare i pari doli Ferat Asan nga LSDM e i dyti Kurto Dudush nga LDP/DOM. Edhe këtu do të ketë raund të dytë. Ferat Asan mblodhi 2844 vota ndërsa Kurto Dudush 2091 vota.
Dhe në fund në Çair Visar Ganiu i BDI-së është në epërsi me 10306 vota kundrejt Bekim Sali me 7826 vota. Edhe në Çair me shumë mundësi do të ketë raund të dytë edhe pse nuk janë numëruar ende përfundimisht të gjitha votat. Në Çair janë numëruar vetëm 79,55% të votave. Kastriot Rexhepi i Besës ka mbledhur 804 vota ndërsa Misin Gradinaj 193.