MaqedoniRajoniTop Lajme

SHBA-BE: Të hiqen barrierat për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

Shpërndaje

SHBA dhe Bashkimi Evropian kanë dalë me një apel për Këshillin Evropian, të hapen pa asnjë vonesë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Deklarata e përbashkët është bërë nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, pas takimit të Sekretarit Blinken dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE për politikë të jashtme Borrell. Pas këtij takimi, Shtetet e Bashkuara dhe BE ranë dakord të forcojnë më tej angazhimin e tyre të përbashkët në Ballkanin Perëndimor në mbështetje të përparimit të rajonit në rrugën e tij evropiane.

“Ne nënvizojmë mbështetjen tonë të plotë për procesin e zgjerimit të BE -së. Pranimi në BE, një përparësi e deklaruar për të gjithë Ballkanin Perëndimor, që ndihmon në konsolidimin e institucioneve demokratike, në mbrojtjen e të drejtave themelore dhe në avancimin e sundimit të ligjit. Ky rajon i përket Bashkimit Evropian. Integrimi më i ngushtë do të rrisë stabilitetin dhe do të kontribuojë në prosperitetin e njerëzve të rajonit. Në këtë kontekst, ne theksojmë se negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të fillojnë pa vonesë”, thuhet në deklaratën e përbashkët SHBA-BE.

Ata theksojnë rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE, i cili është mekanizmi kryesor për të adresuar normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Pas javëve të fundit të tensionit në veri të Kosovës, ata inkurajojnë të dyja palët që të angazhohen për shmangien e veprimeve që kërcënojnë stabilitetin. SHBA dhe BE janë të bashkuar në mbështetjen e tyre të fortë për integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërkaq bëjnë thirrje të gjitha forcave politike në Mal të Zi që të punojnë së bashku për të ruajtur orientim strategjik për një të ardhme drejt BE-së.