Maqedoni

SHGM dënon sjelljen poshtëruese të kandidatit Fatmir Limani ndaj gazetares, Salije Sadiku

Shpërndaje

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënon sjelljen poshtëruese publike të kandidatit të pavarur për kryetar të Kërçovës, Fatmir Limani, ndaj gazetares Salije Sadiku nga TV21 dhe u kërkon aktorëve publikë që të jenë të kujdesshëm me sjelljet e tyre, veçanërisht ndaj gazetareve në vend.

Në fakt, derisa gazetarja Salije Sadiku ka raportuar për zgjedhjet lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, është përballur me një situatë të pakëndshme, e shoqëruar me fjalë agresive dhe akuza nga kandidati i pavarur i Kërcovës, Fatmir Limani, drejtuar asaj personalisht dhe TV 21. Kolegia Sadiku ka qenë e pranishme në këtë ngjarje me qëllim që të përcillte tek qytetarët informacione nga cikli zgjedhor dhe, në vend që të merrte një përgjigje nga kandidati, ajo është ofenduar në mënyrë të vrazhdë dhe më pas është brohoritur nga turma.

Sipas koleges Sadiku, qindra simpatizues që e përkrahin Limanin, të cilët kanë qenë të pranishëm gjatë momentit të incidentit, natën e 17 tetorit, kanë duartrokitur në momentin kur ka ndodhur rasti. Në reagimin e saj në Zyrën e SHGM-së, Sadiku sqaron se:

“Të dielën ekipi i TV 21 së bashku me ekipet televizive të Tv Klan dhe RTM ishim në shtabin e Limanit në orën 20:00. Nga atje shefi i kabinetit, Bejtulla Emini, na tha se ende nuk janë gati, por do t’i presin rezultatet. Pas disa orëve u ktheva të marrë deklaratë nga kandidati dhe ai para të pranishmëve dhe me ton të lartë mu drejtua mua duke bërtitur: “Ju jeni e keqja më e madhe që u ka ndodhur qytetarëve, ju jeni gjakpirës. Ju jeni fajtor që Kërçova ka ardhur në këtë gjendje që është. Ju jeni me pushtetin dhe punoni në mënyrë të njëanshme”. Unë u tërhoqa dhe, në atë moment të pranishmit, që ishin më shumë se 100 persona, filluan me duartrokitje të forta dhe duke brohoritur uuuuuu … ”, deklaroi Sadiku.

Sjellja e këtilla ndaj gazetarëve që janë në detyrë në terren është i papranueshëm dhe është e nevojshme që të ndërgjegjësohen kandidatët për kryetarë komune dhe të gjithë aktorët politikë në ciklin zgjedhor, sepse në këtë moment vijon raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në shumë komuna.

Vlerësojmë se nëse incidente të tilla tolerohen në të ardhmen, ekziston rreziku i inkurajimit të dhunës së re, më serioze ndaj gazetarëve, duke rrezikuar kështu më tej sigurinë e tyre, të drejtën për lirinë e shprehjes dhe të drejtën për të informuar qytetarët.