RajoniTop Lajme

Berisha: Vetëm demokratët mund t’i japin goditjen përfundimtare këtij regjimi! Pa largimin e Ramës, Shqipëria vetëm do rrokulliset

Shpërndaje

Kryedemokrati Sali Berisha, u shpreh gjatë mbledhjes së kryesisë se, opozita duhet të shfrytëzojë çdo mundësi për të rritur ‘vitalitetin’ e PD-së dhe për t’u përballur me qeverinë. Ai u ka bërë thirrje drejtuesve të PD që të intensifikojnë kontaktet me anëtarët, mbështetësit dhe qytetarët, duke e cilësuar situatën politike si një ‘kohë historike’.

‘Ripërtëritje në vlera të reja. Ripërtëritje në mekanizmat e funksionimit të saj. Ripërtëritje në modernizimin e saj. Ripërtëritje në programin e saj’, tha ai. Por Berisha theksoi se këto ndryshime, sipas tij, nuk mund të mbeten vetëm në dokumente.

Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:

Ndaj dhe ne duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi, çdo potencial që kemi për ripërtëritjen e forcës tonë politike, ripërtëritje e cila po ta mbledh me një fjalë të dytë, do të thotë rritje e vitalitetit të saj.

Ripërtëritje në vlera të reja.

Ripërtëritje në mekanizmat e funksionimit të saj.

Ripërtëritje në modernizimin e saj.

Ripërtëritje në programin e saj.

Që të gjitha këto mbeten absolutisht fjalë në letër në qoftë se ne nuk i jetësojmë ato në takime me anëtarët, mbështetësit tanë dhe qytetarët shqiptarë.

Është një kohë historike.

Një regjim, ndoshta ndër më të urryerit e të gjitha kohërave sepse dëmet që Edi Rama i ka bërë Shqipërisë në rrafshin demografik janë kolosale dhe të pakrahasueshme me asnjë pushtim dhe asnjë regjim tjetër. Jo.

Çfarëdo që të bëjmë ne, ne e nisim në rrafshin demografik me një lindshmëri si para 100 vitesh.

Dhe për ta sjellë në vitet 2013, ndoshta do të duhen afatet më të shpejta 40 vite. Dhe do të duhet një politikë solide e ripopullimit të këtij vendi.

Mora një aspekt, mund të marrim çdo aspekt tjetër.

Por u ndala në këtë aspekt për të theksuar se çfarë rëndësie jetike ka përpjekja jonë, anëtarët e kryesisë së PD, janë drejtuesit, janë udhëheqësit kryesorë të kësaj force politike, dhe unë kam besim të madh, besim të plotë se kësaj sfide, kësaj kërkese, kësaj emergjence ne do i përgjigjemi në mënyrën më të vendosur.

Asnjëherë, çdo shqiptar, askush nuk duhet të harrojë se matter matrix e të gjithë këtyre problemeve të mëdha e ka emrin Edi Rama apo Padrino i Shqipërisë.

Pa largimin e tij, në Shqipëri dhe për shqiptarët ka rrokullisje dhe vetëm rrokullisje.

Edi Rama nuk është i rrezikshëm, Edi Rama është i rrezikshëm për rajonin, për Evropën dhe më gjerë.

Ndaj dhe në këtë kuadër ne përmbushim një mision kombëtar dhe shumë më të gjerë se kombëtar.

Demokratët dhe vetëm demokratët mund t’i japin përgjigjen përfundimtare, goditjen përfundimtare këtij regjimi.