Teuta Arifi nga sheshi i qytetit: Tetova shtëpia jonë e përbashkët
Kandidatja për kryetare të komunës së Tetovës, znj. Teuta Arifi sonte në tubimin përmbyllës në sheshin e qytetit ka mbajtur fjalim rasti duke theksuar se BDI dhe ajo do të shënojnë fitore të dielën në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale duke u sjellë kështu tetovarëve një jetë më të mirë.
“Ka shumë qytete në botë por Tetova jonë është një dhe e vetme shtëpia jonë e përbashkët. Është atdheu ynë që e duam jo se është më i bukuri por sepse është i yni. Është toka jonë e dashur e premtuar me mijëra herë se këtu vendosëm themelet e shtëpisë sonë, familjes sonë të madhe Bashkimit Demokratik për Integtrim. Është ky vend e kjo tokë, thellë në të cilën u vendosën shtizat e flamurit të baballarëve tanë. Tokë ku hapëm mësojtoret e para në gjuhën tone të bukur shqipe. Është themel ku vendosëm dëshirën tonë për dije e universitetet tona, është ai vend i definimit të shtyllës së drejtë vertikale të mendimit dhe veprimit politik të shqiptarit të ketij vendi, për të qenë i barabartë sot në vendin e vet”, ka theksuar Arifi.
Fjalimi i Teuta Arifit:
TË DASHUR VËLLEZËR DHE MOTRA
Ka shumë qytete në botë por Tetova jonë është një dhe e vetme shtëpia jonë e përbashkët. Është atdheu ynë që e duam jo se është më i bukuri por sepse është i yni.
Është toka jonë e dashur e premtuar me mijëra herë se këtu vendosëm themelet e shtëpisë sonë, familjes sonë të madhe Bashkimit Demokratik për Integtrim.
Është ky vend e kjo tokë, thellë në të cilën u vendosën shtizat e flamurit të baballarëve tanë. Tokë ku hapëm mësojtoret e para në gjuhën tone të bukur shqipe. Është themel ku vemdosëm dëshirën tone për dije e universitetet tona, është ai vend i definimit të shtyllës së drejtë vertikale të mendimit dhe veprimit politik të shqiptarit të ketij vendi, për të qenë i barabartë sot në vendin e vet.
Dhe me mbështetjen tuaj, jam kryetare e këtij qyteti që ka pasur gjithnjë nevojën e kujdesit dhe udhëheqjes së drejtë. Për gjithë këto vite me ndihmën tuaj, kam punuar për një bulevard më shumë, për një shkollë më shumë, për një ujësjellës më shumë, për një projekt më shumë, e vetëdijshme se është ky qytet që meriton më të mirën që mund të bëjmë për të, meriton shpirtin, zemrën dhe përkushtimin tonë për të. Kam qenë me Tetovën dhe tetovarët, në secilën ditë, në çdo sukses, por edhe në ditët tona më të vështira, si që janë dy vitet e fundit që po kalojmë së bashku.
Por sot, të arriturat tona janë në rrezik. Tetova jonë e madhe është në rrezik. Është në rrezik nga ambiciet e mëdha të njerëzve të vegjël, është në rrezik sepse dikush dëshiron të bëhet viktimë e madhe e pazareve të vogla politike.
Dhe prandaj jemi këtu vëllezër e motra. Jemi këtu të themi KTHIM PRAPA SKA!
Ska kthim prapa, në kohërat kur dikush tjetër vendoste për fatin tonë, që me shumë sakrificë e kemi vendosur në duart tona. Ska kthim prapa në kohërat e injorancës, se dritën e dijes e kemi sjellur në shtepitë tona.
Ska kthim prapa në kohërat e degjenerimit të procesit votues, se që moti ne kemi vendosur parimet e veprimit demokratik në vendet tona.Ska kthim prapa në të ashtuquajturat projekte fjalëboshe për Tetovën, ku për vite kemi punuar punë konkrete për të ndryshuar jetët tona.
Duke parë këtë rrezik dhe duke qenë të bindur në fitoren tonë, ju ftoj të bëjmë këtë betejë e cila nuk është vetëm e tetovarëve, por e të gjithë shqiptarëve. Do të luftojmë në secilën minutë të mbetur, do të luftojmë për secilin njeri, do të luftojmë për secilën rrugë, secilën shtëpi, do luftojmë sepse Tetova është ideali ynë i madh historik, është ardhmëria jonë europiane.
Do luftojmë për gasifikimin e qytetit, do luftojmë për kopshte dhe shkolla të reja, do luftojmë për rrugë dhe bulevarde të reja, për një shesh të ri të qytetit, do të luftojmë për këtë vend.
Do luftojmë për secilën pëllëmbë të kësaj toke tonë të vjetër, e të larë me djersë, gjak e lotë.
Dhe do të fitojmë. Do fitojmë se kjo fitore sot i duhet Tetovës dhe tetovarëve, se Kthim prapa SKA!
#BashkëPërTetovënEuropiane 💚
#KthimPrapaSka