Konferenca Rama – Kurti: Kosova dhe Shqipëria si shqiponjë me dy koka, nuk mungojnë as batutat mes kryeministrave
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se qëndrimi i tij për Ballkanin e Hapur nuk paraqet pengesë që të fuqizohen marrëdhëniet me Kosovën.
Këtë deklaratë, Rama e bëri në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, transmeton Telegrafi.
“Mendimi i Shqipërisë, i kësaj qeverie, mendimi im lidhur me Kosovën e Serbinë nuk është as sekret, as i panjohur, është i njëjti mendimi. Në këtë pikë, nuk ka asnjë dilemë. Sa i përket Open Balkan, kemi sigurisht dy qasje, qëndrime, opinione të ndryshme. Këto opinione të ndryshme në raport me Open Balkan nuk përbëjnë asnjë pengesë për të fuqizuar marrëdhëniet mes nesh dhe nëse do më lejoni t’i referohem shqiponjës me dy koka, është një trup i vetëm ku njëra kokë sheh nga njëra anë dhe koka tjetër nga ana tjetër.
Shqiponja është e informuar vizualisht në 360 gradë prandaj mos kini asnjë dyshim se shqiponja me dy koka të kapet në befasi nga një anë e tjetra, asnjë shqetësim për këtë dhe mendoj se është vlerë e shtuar në këtë periudhë të historisë sonë që jemi shqiponjë me dy koka. Kur të vijë dita që të jemi shqiponjë me një kokë, rreziku është që të kafshojmë veten më shumë se sot që nuk e kemi këtë luks dhe këtë qëllim. Unë personalisht jam optimist për zhvillimin e marrëdhënieve tona, për këndvështrimin strategjik dhe angazhimin në funksion të këtij angazhimi. Mos prisni që debatet mes meje dhe Albinit të jenë të mbyllura. Nuk rrimë dot pa menduar dhe e kam menduar po të mendoj njësoj për të gjitha gjërat”, potencoi ai.
Gjatë konferencës, Rama falënderoi Kurtin që kanë marrë pjesë në mbledhje, duke bërë edhe një batutë për shiun.
“Albin faleminderit për mundim që keni ardhur këtu, ne kishim dashur të ju prisnim me diell por që nuk ia dolëm dot, megjithatë mbase ky shiu që vazhdon insiston është një berqet për funksionin tonë të përbashkët që është bashkimi dhe intensifikimi i gjithë veprimeve mes dy shteteve duke kthyer kufirin në formalitet”, theksoi ai.
Kurse, Kurti në fjalimin e tij vazhdoi batutën me shi, duke thënë së në këtë kohë duhet edhe shiu edhe dielli.
“Faleminderit shumë i dashur Edi, ne po mbjellim bashkë e do të na duhet edhe shumë shiu edhe shumë diell, për frytet që do t’i gëzojnë qytetarët tanë në të dy anët tona të kufirit”, potencoi ai.
Mbledhja e dy qeverive është mbajtur në Elbasan, ku janë nënshkruar 13 marrëveshje.