Nxënësit shqiptarë në Serbi tani do të mësojnë me tekste në gjuhën shqipe
Është koha e fundit që Ministria e Arsimit (Serbi) të fillojë të merret me këtë çështje, ka komentuar Shukri Imeri, drejtori i shkollës fillore “Zenelj Hajdini” afër Preshevës, për marrëveshjen për tekstet në gjuhën shqipe në Serbi.
Në këtë komunë, një nga tre komunat në jug të Serbisë, shumica e popullsisë janë shqiptarë.
Një marrëveshje për tekstet në gjuhën shqipe është arritur në mes të nëntorit nga përfaqësues të Ministrisë së Arsimit në Serbi me përfaqësues të Këshillit Kombëtar të pakicës kombëtare shqiptare.
Evropa e Lirë (shërbimi i Ballkanit) ka dërguar kërkesë në Ministrinë e Arsimit në Serbi për detajet e kësaj marrëveshjeje, por përgjigja nuk ka arritur deri në botimin e këtij teksti.
Problemi me tekstet në gjuhën amtare për pakicën kombëtare shqiptare në Serbi daton prej dekadash. Ai lindi pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999, kur shkollat në gjuhën shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nuk mundën të pranonin tekstet shkollore nga Instituti për Tekste në Prishtinë për shkak të ndërprerjes së komunikimit me institucionet.
Imeri, i cili ka qenë drejtor për një dekadë dhe më parë ka punuar si profesor i biologjisë për tetë vite, thotë se kolegët e tij ia dalin në mënyra të ndryshme që t’ua bartin njohuritë nxënësve.
“Për mësuesit është shumë e vështirë. Mësuesit kryesisht përkthejnë nga librat në gjuhën serbe në shqip ose bëjnë ‘skripta’ që nxënësit i fotokopjojnë dhe ne kështu ia dalim”, shpjegon Imeri.
Më 16 nëntor, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Serbisë dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik, Branko Ruzhiq, i tha agjencisë “Fonet” se çështja e teksteve në gjuhën shqipe është zgjidhur përmes bisedimeve me përfaqësues të Këshilli Kombëtar Shqiptar.
Atë ditë Ruzhiqi pati një takim të përbashkët në Bujanoc me ambasadorin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Jan Braathu, ministrin e të Drejtave të Njeriut, Gordana Çomiq dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa.
Ministrja Çomiq tha më 18 nëntor se në një takim me përfaqësues të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe Ministrisë së Arsimit u ra dakord që të vendoset bashkëpunimi me Institutin për Vlerësimin e Cilësisë së Arsimit dhe të përshpejtohen procedurat për miratimin e teksteve shkollore për shkollat fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe.
Instituti për Vlerësimin e Cilësisë së Arsimit dhe Edukimit është institucion publik në Serbi, i cili merret me vlerësimin e arsimit dhe edukimit dhe jep rekomandime për ngritjen dhe sigurimin e sistemit të cilësisë së arsimit dhe edukimit.
“Është marrë vesh që kjo (miratimi i teksteve shkollore) të jetë deri në prill të vitit të ardhshëm, kur të publikohet katalogu i teksteve shkollore, në mënyrë që ato të jenë gati për nxënësit e gjeneratës së ardhshme”, tha Çomiqi.
Tekstin e plotë mund ta gjeni këtu.