Përparim Rama tregon pasurinë e tij
Kryetari i zgjedhur i Prishtinës në radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, ka treguar se pasuria e tij është mbi 11 milion funte si dhe ka 6 milionë funte borxhe.
Ai gjithashtu ka treguar se i ka 15 kompani përmes të cilave bën investime.
“I kam 15 kompani ku jam aksionar, struktura e biznesit është asisoji, në Londër për shembull kompania krijohet si entitet për të bërë një investim, mund ta blesh një shtëpi, e bënë planin, ndërton, zgjeron e më pas e shet në emër të asaj kompanie ku investimet ndahen dhe taksat paguhen. Vlera e pronave që kam nëpër botë është mbi 11 milionë funta, prej tyre janë 6 milionë janë borxhe”, ka thënë Rama.
Ndër të tjera, Rama shtoi se prej figurave në Kosovë është ortak në një kompani me ish aksionarin e IPKO-s, Bujar Musa.
“Prej figurave në Kosovë jam ortak në një kompani me Bujar Musën, i cili e ka krijuar IPKO-n, ai para pak vitesh kur ka ardhur në Londër ka dashur të bëjë një investim, jemi bashkaksionarë pasi edhe unë kam investuar aty”, shtoi tutje Rama.